• среда, 12 март 2025

Këshilli gjyqësor për u.d. kryetar i Gjykatës Supreme e përcaktoi gjyqtarin Xhemali Saiti

Këshilli gjyqësor për u.d. kryetar i Gjykatës Supreme e përcaktoi gjyqtarin Xhemali Saiti

Shkup, 10 mars 2025 (MIA) - Këshilli Gjyqësor në seancën e sotme me 10 vota “pro” dhe dy “kundër” përcaktoi gjyqtarin Xhemali Saiti për u.d. kryetar i Gjykatës Supreme, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, për të cilin shkak procedura është në vazhdim. Saiti do të marrë detyrën nga 13 marsi.

Siç u theksua, sipas të dhënave që ka në dispozicion Këshilli Gjyqësor, kryetares aktuale të Gjykatës Supreme, Besa Ademi, i përfundon mandati më 12 mars të këtij viti dhe është në proces procedura për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës, e e cila ende nuk ka përfunduar, prandaj nevojitet të emërohet ushtruesi i detyrës kryetar i Gjykatës.

Hanif Zendeli e propozoi Saitin për ushtrues detyre kryetar i Gjykatës Supreme për arsye se kryetarja aktuale Besa Ademi dhe Arif Fidani janë kandidatë për kryetarë të kësaj gjykate, prandaj mendon se nuk duhet të emërohen ushtrues detyre për të shmangur perceptimin se ndonjëri prej tyre po favorizohet për zhvillimin e mëtutjeshëm të procedurës.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, për u.d. e propozoi kryetaren aktuale të Gjykatës Supreme, pasi sipas tij, ajo e ka kryer mirë detyrën dhe mendon se nuk do të kishte pengesë që të vazhdojë si ushtruese e detyrës, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj gjykate.

Anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, kërkoi dhe u përjashtua nga veprimi në këtë pikë për shkak të, siç tha ajo, përjashtimin e mundësisë për konflikt të interesave, për shkak se në Gjykatën Supreme është duke u zhvilluar procedurë për një kompani, ku personi përgjegjës është bashkëshorti i saj, e në të cilën merr pjesë Këshilli prej pesë gjyqtarësh.

Për shkak të përjashtimit të konfliktit të interesit, Dameva ka kërkuar që ajo të ndërrohet nga pozita e saj si anëtare dhe kryetare e Komisionit për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Supreme. Në vend të saj është emëruar Tanja Çaçarova Ilievska.

Në pajtim me ligjin, në rast shkarkimi ose përfundimi të mandatit të kryetarit të gjykatës deri në zgjedhjen e një të riu, Këshilli Gjyqësor përcakton ushtruesin e detyrës kryetar, që ka marrë vlerësimin më të lartë pozitiv në vitin e fundit dhe ka më shumë pikë në krahasim me gjyqtarët e tjerë.

Këshilli Gjyqësor në seancën e sotme ka marrë edhe Vendim për pushimin e funksionit gjyqësor për shkak të plotësimit të kushteve për pension pleqërie të Vasil Batkovskit, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Manastir.

Duke marrë parasysh se Batkoski është edhe u.d. kryetar i Gjykatës Themelore Ohër, anëtarët e Këshillit Gjyqësor në vend të tij emëruan Bojan Martinovskin, gjyqtar në Gjykatën Themelore Ohër, i cili ka rezultatin më të lartë në listën e gjyqtarëve të kësaj gjykate.

Këshilli Gjyqësor për nesër ka caktuar seancë të re, ndërsa nesër në rendin e ditës në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë interpelancat e pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. bsh/

Foto: Printskrin

Остани поврзан