Izraeli i ktheu trupat e 30 palestinezëve, Hamasi dorëzoi mbetje të paidentifikara të tre personave
- Izraeli ua dorëzoi trupat e 30 palestinezëve autoriteteve shëndetësore në Gazë, lajmëruan agjencitë botërore.
Deir al Balah, 1 nëntor 2025 (MIA) - Izraeli ua dorëzoi trupat e 30 palestinezëve autoriteteve shëndetësore në Gazë, lajmëruan agjencitë botërore.
Mbetjet u kthyen në këmbim të trupave të dy pengjeve izraelite të kthyera më parë nga grupi palestinez Hamas. Përparimi, edhe pse i vogël, erdhi pavarësisht sulmeve ajrore izraelite në Gaza që kanë vrarë më shumë se 100 persona në përgjigje të vrasjes së një ushtari izraelit.
Trupat e 30 palestinezëve u transferuan në Gazë përmes Kryqit të Kuq. Kthimi i mbetjeve u konfirmua nga një mjek në spitalin Nasr në qytetin jugor të Kan Junis. Megjithatë, identifikimi i tyre është i vështirë sepse autoritetet lokale shëndetësore nuk kanë komplete analizash të ADN-së.
Deri më tani, Izraeli ka kthyer mbetjet e 225 palestinezëve, 75 prej të cilëve janë identifikuar nga familjet e tyre, kumtoi Ministria e Shëndetësisë e Gazës.
Kryqi i Kuq mbrëmë tha se ka transferuar mbetjet e paidentifikuara të tre personave në Izrael. Megjithatë, trupat janë ende duke u ekzaminuar dhe mund të mos u përkasin pengjeve izraelite, tha një zyrtar ushtarak izraelit.
Prej fillimit të armëpushimit, Hamasi ka dorëzuar trupat e 17 pengjeve izraelite, ndërsa 11 janë ende në Gaza dhe duhet të kthehen sipas marrëveshjes. ab/
Foto: ЕPА