Izraeli e miratoi marrëveshjen për eksport të gazit në Egjipt, në vlerë prej 35 miliardë dollarë
- Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi se e ka miratuar marrëveshjen për eksportin e gazit natyror në Egjipt në vlerë prej 35 miliardë dollarë, marrëveshja më e madhe e gazit në historinë izraelite.
Jerusalem, 18 dhjetor 2025 (MIA) - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi se e ka miratuar marrëveshjen për eksportin e gazit natyror në Egjipt në vlerë prej 35 miliardë dollarë, marrëveshja më e madhe e gazit në historinë izraelite.
Marrëveshja mund të ndihmojë edhe në përmirësimin e marrëdhënieve mes Egjiptit dhe Izraelit, të tensionuara gjatë dy viteve të fundit për shkak të luftës së Izraelit ndaj Hamasit palestinez në Rripin e Gazës.
Gazi në Egjipt në 15 vitet e ardhshme do të furnizohet nga gjigandi amerikan i energjisë "Shevron", pronar i fushës së gazit pranë bregut të Izraelit në Detin Mesdhe. Pritet që gjysma e të ardhurave të shkojnë në arkën izraelite.
Netanjahu tha se marrëveshja "dukshëm e përforcon pozitën e Izraelit si forcë rajonale e energjisë dhe kontribuon për stabilitetin" e Lindjes së Mesme.
Egjipti, i cili kufizohet edhe me Izraelin dhe Rripin e Gazës, ishte ndërmjetës kyç në bisedat mes Izraelit dhe Hamasit që çuan në ndërprerje të zjarrit të ndërmjetësuar nga SHBA në tetor. Kajro e kritikoi zëshëm ofensivën izraelite, gjatë të cilës u vranë dhjetëra mijë palestinezë në Gaza. sa/
foto: MIA arkivi