• недела, 19 мај 2024

I ngarkuari rus me punë në Gjermani ka mohuar akuzat për sulm kibernetik

I ngarkuari rus me punë në Gjermani ka mohuar akuzat për sulm kibernetik

Berlin, 3 maj 2024 (MIA) - I ngarkuari rus me punë në Gjermani i cili sot u thirr për intervistë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë për shkak të sulmit kibernetik të dyshuar rus në zyrën qendrore të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD) vitin e kaluar i hodhi poshtë kategorikisht akuzat si të pabaza, gjithnjë sipas njoftimit të ambasadës ruse në Berlin.

"Më 3 maj 2024 i ngarkuari rus me punë në Gjermani u thirr në Ministrinë gjermane për Punë të Jashtme ku ai protestoi kundër një sulmi kibernetik të dyshuar të provuar nga grupi i hakerëve APT 28 i kontrolluar nga GRU (agjencia e inteligjencës ushtarake) në zyrën qendrore të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë në vitin 2023", njoftoi ambasada.

Në njoftim thuhet se “përfaqësuesi i ambasadës hodhi poshtë kategorikisht si të pabaza pretendimet për përfshirje të strukturave shtetërore ruse në rastin e përmendur dhe në përgjithësi për veprimtarinë e grupit APT 28”.

Sipas raportimeve, pala gjermane pretendoi në takimin në Ministrinë e Jashtme se gjoja "sulmet e hakerëve shtetëror rusë ndaj Gjermanisë në hapësirën kibernetike janë të papranueshme, të dënueshme dhe mund të kenë pasoja".

Ministrja e Jashtme gjermane Analena Berbok më herët gjatë vizitës së saj në Australi deklaroi se hakerat shtetëror rusë sulmuan Gjermaninë në hapësirën kibernetike.

SPD në qershor të vitit 2023 njoftoi se emailet e ekzekutivit të SPD-së kishin qenë më parë objektiv i një sulmi kibernetik në janar, raporton Velt. Partia më pas njoftoi se ishte bërë e mundur nga një e metë sigurie në kompaninë softuerike Mikrosoft që ishte ende e panjohur në kohën e sulmit të supozuar.

Zëdhënësja e SPD-së theksoi se ekziston mundësia që gjatë sulmit rus të ketë pasur rrjedhje të të dhënave.

Sipas Zyrës gjermane për mbrojtjen e Kushtetutës, grupi APT28 ka qenë aktiv në mbarë botën, kryesisht në fushën e spiunazhit kibernetik të paktën që nga viti 2004.

Në të kaluarën, siç thuhet nga Zyra, ky grup ka zhvilluar fushata dezinformuese dhe propaganduese në hapësirën kibernetike dhe është "ndër aktorët kibernetikë më aktiv dhe më të rrezikshëm në botë".

Thuhet se grupi është fajësuar për një sulm të madh kibernetik në Bundestag në vitin 2015 dhe më vonë në SHBA për një sulm ndaj Partisë Demokrate përpara zgjedhjeve presidenciale të 2017-ës. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан