Hezbollahu: Libani e respekton armëpushimin me Izraelin, por refuzon negociata politike
- Grupi libanez Hezbollah sot bëri të ditur se ka "të drejtë ligjore për të kundërshtuar pushtimin (izraelit)" dhe të mbështesë armatën libaneze.
Bejrut, 6 nëntor 2025 (MIA) - Grupi libanez Hezbollah sot bëri të ditur se ka "të drejtë ligjore për të kundërshtuar pushtimin (izraelit)" dhe të mbështesë armatën libaneze.
Lëvizja shiite shtoi se megjithëse Libani është i lidhur nga marrëveshja e armëpushimit me Izraelin, vendi nuk është i detyruar të marrë pjesë në negociata politike me shtetin hebre.
Javën e kaluar, presidenti libanez Zhosef Aun urdhëroi armatën të kundërshtojë ndaj çdo ndërhyrjeje izraelite në Libanin jugor, pas një operacioni në mesnatë nga forcat ushtarake izraelite që hynë në territorin libanez dhe vranë një zyrtar të qeverisë lokale pavarësisht armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA.
"E konfirmojmë detyrën tonë ligjore për t'iu kundërvënë pushtimit dhe agresionit dhe për të qëndruar krah për krah me armatën dhe popullin tonë në mbrojtje të sovranitetit të vendit", thotë në deklaratë grupi.
Hezbollahu theksoi se po ushtronte të drejtën e tij për vetëmbrojtje kundër "një armiku që i imponon luftë vendit tonë, nuk i ndërpret sulmet dhe kërkon të nënshtrojë shtetin tonë".
Armëpushimi midis Izraelit dhe Libanit u arrit në nëntor të vitit 2024 me ndërmjetësimin e SHBA-së, pas më shumë se një viti konflikti të shkaktuar nga lufta në Gazë. Megjithatë, forcat izraelite ende kryejnë herë pas here sulme në territorin libanez.
Foto: Arkivi