• петок, 05 декември 2025

Hegset: Po e fillojmë operacionin "Shtiza jugore" për të "pastruar vendin nga narkoteroristët"

Hegset: Po e fillojmë operacionin

Uashington, 14 nëntor 2025 (MIA) - Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegset, njoftoi fillimin e operacionit "Shtiza jugore", për të cilën tha se do të ketë si synim "narkoterroristët" dhe do ta mbrojë SHBA-në nga droga që po vret njerëzit.

"Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, urdhëroi aksionin, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e zbatoi. Sot e shpall operacionin 'Shtiza Jugore'", shkroi Hegset në një postim në rrjetin social X.

Sipas "Aksios", nuk është krejt e qartë nëse Hegset i referohej operacioneve aktuale amerikane në afërsi të Venezuelës dhe më gjerë, ose nëse bëhet fjalë për një mision të ri dhe të zgjeruar.

Si-Bi-Es Njuz, duke iu referuar disa burimeve të njohura me takimet në Shtëpinë e Bardhë, shkruan se bëhet fjalë për sulme të reja ndaj anijeve që transportojnë drogë dhe kujton se, në kushtet e tensioneve në rritje midis SHBA-ve dhe Venezuelës, zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë i kanë paraqitur presidentit të SHBA-së, Donald Tramp, opsionet e përditësuara për operacione të mundshme në Venezuelë, duke përfshirë edhe sulme tokësore.

Ministri i Mbrojtjes, Pit Hegset, kryetari i Shtabit të përbashkët, Den Kejn, dhe zyrtarë të tjerë të lartë e kanë informuar Trampin për opsionet ushtarake të mundshme për ditët në vijim, por nuk është marrë një vendim përfundimtar, deklaruan dy burime për SI-BI-ES Njuz (CBS News). 

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë nuk komentoi menjëherë, ndërsa zëdhënësi i Pentagonit ka refuzuar të komentojë.

Komuniteti amerikan i inteligjencës ka ndihmuar në sigurimin e informacionit për operacionet e mundshme.

Gjatë dy muajve të fundit, ushtria amerikane ka kryer kontrolle në të paktën 20 anije, për të cilat tha se po transportonin drogë nga Amerika e Jugut në SHBA, duke vrarë të paktën 80 kontrabandistë të dyshuar. qa/

Foto: X

Остани поврзан