Gjykata Supreme e SHBA-së e bllokoi përpjekjen e Trampit për të vendosur Gardën Kombëtare në Çikago
- Gjykata Supreme e SHBA-së i paraqiti sot Presidentit Donald Tramp një pengesë të re në planet e tij për të vendosur Gardën Kombëtare në Çikago.
Uashington, 24 dhjetor 2025 (MIA) - Gjykata Supreme e SHBA-së i paraqiti sot Presidentit Donald Tramp një pengesë të re në planet e tij për të vendosur Gardën Kombëtare në Çikago.
Gjykata Supreme ka hedhur poshtë kërkesën urgjente të presidentit amerikan për të pezulluar vendimin e një gjykate më të ulët që ndalonte përkohësisht përdorimin e trupave të Gardës Kombëtare në shtetin Illinois, njoftoi DPA.
Garda Kombëtare është një forcë rezervë ushtarake që është pjesë e Forcave të Armatosura të SHBA-së. Çdo shtet ka Gardën e vet Kombëtare, e cila është nën kontrollin e qeverisë shtetërore. Megjithatë, në rrethana të caktuara, presidenti amerikan mund të marrë komandën.
Tramp ka urdhëruar në muajt e fundit vendosjen e Gardës Kombëtare në disa qytete më të mëdha, shpesh kundër dëshirës së autoriteteve lokale dhe shtetërore.
Vendosja e parë e tillë u zhvillua në Los Anxgeles, ku shpërthyen protesta për shkak të bastisjeve të agjencisë për migrim dhe kontroll doganor (ICE) që synonin migrantët. Ushtarë të Gardës Kombëtare janë vendosur gjithashtu në kryeqytetin e SHBA-së, Uashington.
Çikago është përmendur vazhdimisht nga Trampi si një tjetër vendndodhje e mundshme për vendosjen e trupave për shkak të protestave kundër bastisjeve të ICE-së. Në tetor, ai thirri qindra anëtarë të Gardës Kombëtare në rajon në detyrë aktive, ndërsa trupa shtesë u dërguan në Illinois nga Teksasi.
Qeveria amerikane e apeloi vendimin, por Gjykata e Apelit gjithashtu refuzoi të lejojë vendosjen e trupave. Trampi më pas u drejtua në Gjykatën Supreme, e cila tani gjithashtu ka refuzuar të ndërhyjë në shtetin ellinois, transmetoi DPA. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s