• четврток, 04 декември 2025

Filloi gjykimi për vrasjen e shtetasit turk në qendër të Shtipit

Filloi gjykimi për vrasjen e shtetasit turk  në qendër të Shtipit

Shtip, 27 nëntor 2025 (MIA) – Filloi gjykimi për vrasjen e shtetasit turk, i cili ishte vrarë më 8 maj në një kafene në sheshin e qytetit “Liria” në Shtip. Gjykimi i pesë të akuzuarve, prej të cilëve njëri për vrasje, ndërsa katër si ndihmës për kryerjen e vrasjes filloi nën masa të rrepta të sigurisë. Katër nga të akuzuarit ishin dërguar nga Burgu i Kumanovës. Për shkak të interesimit të madh të mediave dhe të familjarëve të të akuzuarve nga vendi dhe Turqia seanca gjyqësore zhvillohet në sallën e madhe të Gjykatës së Apelit në Shtip. Për momentin gjykatësja Lulijana Nedkova nga Gjykata Themelore Shtip e filloi seancën e parë gjyqësore. 

Prokuroria Themelore Publike – Shtip më 4 tetor ka parashtruar akuzë për rastin. Sipas akuzës, pas procedurës së zbatuar hetimore, PTHP Shtip parashtroi Aktakuzë për pesë shtetas turk të përfshirë në vrasjen e Enes Ozdemir nga Turqia në maj të këtij viti. 

“Njëri nga të akuzuarit akuzohet për kryerje të drejtpërdrejtë të veprës penale – Vrasje sipas nenit 123 paragrafi 1, si dhe për posedim të paautorizuar të armës me të cilën është kryer vrasja. Tre nga të akuzuarit e ndihmuan atë të kryente veprën penale dhe do të mbahen përgjegjës për vrasje në lidhje me nenin 24, ndërsa një i akuzuar akuzohet për ndihmë ndaj autorit të krimit të rëndë. I akuzuari i parë, një 21-vjeçar pa leje qëndrimi të rregulluar në vend, në fillim të majit, nga një person i panjohur në Shkup, bleu në mënyrë të paautorizuar një armë zjarri gjysmëautomatike – një pistoletë me të dhëna të fshira mbi modelin dhe numrin serial. Përmes aplikacioneve mobile, ai u morr vesh me të dëmtuarin të takoheshin më 8 maj në një kafene në qendër të Shtipit, u ulën në njërën nga tavolinat në cep të tarracës verore të kafenesë dhe biseduan për rreth 15 minuta. Në një moment, i akuzuari shkoi në tualet dhe menjëherë u kthye, nxori armën e tij dhe filloi të qëllonte në të dëmtuarin, duke i shkaktuar gjashtë plagë me armë zjarri nga të cilat vdiq”, thuhet në kumtesën e PTHP-së më 4 tetor. 

Në të theksohet se tre të akuzuar, edhe pse e dinin dhe ishin të vetëdijshëm për qëllimet e tij që ta privojë nga jeta të dëmtuarin, i kanë siguruar mbështetje logjistike për kryerjen e veprës. 

Kur i akuzuari i parë mbërriti në Shkup, më 30.04 ata i siguruan atij strehim në banesën që edhe ata e kishin përdorur për një kohë të gjatë më parë, ndërsa e ndihmuan që përmes personave aktualisht të panjohur, ta sigurojë armën. Në ditën e vrasjes, me një automjet që i përkiste njërit prej të akuzuarve, e transportuan së bashku në Shtip

“Pas kryerjes së vrasjes, për të mos u zbuluar, e kanë thirrur të akuzuarin e pestë që t'i transportojë me një makinë tjetër në pronësi të saj, dhe të gjithë së bashku janë nisur drejt Shkupit. Kur kanë mbërritur para pikës pagesore ‘Milladinovci’ dhe kanë vënë re se një automjet policor ishte i stacionuar në pikën pagesore për të kryer kontrolle, e akuzuara , megjithëse e dinte se i akuzuari i parë ishte autori i vrasjes dhe po kërkohej, është përpjekur ta ndihmojë atë të shmangë zbulimin dhe kapjen. Ajo e ka ndaluar automjetin rreth treqind metra para pikës pagesore, duke i lejuar autorit të drejtpërdrejtë të dalë dhe të fillojë të ikë nga rruga, përgjatë autostradës, ku më vonë është gjetur dhe arrestuar. Të tjerët kanë vazhduar ta drejtojnë automjetin drejt pikës pagesore dhe janë ndaluar nga nëpunësit e policisë, të cilët kanë filluar t'i identifikojnë dhe ta kontrollojnë automjetin. Edhe pse janë përpjekur të arratisen, ata megjithatë janë kapur dhe burgosur brenda një kohe të shkurtër”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë Publike në Shtip. fc/

Foto: MIA

 

Остани поврзан