Filloi debati për amandamentet për Propozim-buxhetin për vitin 2025, seanca vazhdon pas orës 16
- Me debatin e amendamenteve për Propozim-buxhetin e vitit 2025, sot vazhdoi debati i komisionit në Kuvend. Seanca e Komisionit do të vazhdojë në orën 16:15.
Shkup, 19 nëntor 2024 (MIA) - Me debatin e amendamenteve për Propozim-buxhetin e vitit 2025, sot vazhdoi debati i komisionit në Kuvend. Seanca e Komisionit do të vazhdojë në orën 16:15.
Për Propozim-buxhetin për vitin 2025 janë dorëzuar gjithsej 307 amandamente nga të cilat 204 nga LSDM-ja opozitare.
Amendamenti i parë i dorëzuar nga LSDM-së ka të bëjë me rritjen e pagave në administratë. Me këtë amendament, siç sqaroi deputetja Daniella Nikollova, kërkojnë 3,5 miliardë denarë, përkatësisht 57 milionë euro, me të cilat do të sigurohet rritje e pagave në administratë.
"Të gjithë e dimë se buxheti duhet t'u përgjigjet nevojave të qytetarëve, por ajo që kemi para nesh nuk na bind se Qeveria do të kujdeset për nevojat e qytetarëve. Ky buxhet, si dhe të gjitha aktivitetet e qeverisë në periudhën e kaluar dhanë një sinjal të qartë se ku dhe me cilat politika do të lëvizë kjo qeveri, e kjo nënkupton huamarrje më të madhe, rritje të deficitit, gati dyfishim të artikujve të mallrave dhe shërbimeve, blerje të automjeteve dhe mobilieve", tha Nikollova.
Zëvendës-ministri i Financave Nikollçe Jankullovski nuk e pranoi amandamentin, duke theksuar se tashmë ka rritje të pensioneve dhe rritje të pagës minimale.
Deputetët e qeverisë kërkuan nga deputetët e LSDM-së që ta tërheqin këtë amendament, pasi siç thanë, kjo është “erë dhe mjegull”. Deputetët e qeverisë theksuan se me dorëzimin e këtij amendamenti dëshmohet se sa realiste janë edhe ato politika për të cilat LSDM-ja është angazhuar.
Sipas deputetit të LSDM-së Fatmir Bytyqi, mospranimi i këtij amendamenti do të thotë shkelje e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive dhe do të vazhdojë praktika e mosrespektimit sistematik të ligjeve.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Petar Risteski, ka kërkuar nga Bytyqi të thotë se ku kanë përfunduar 600 mijë eurot që janë lëshuar në llogarinë e organizatës joqeveritare të bashkëshortes së tij dhe pse pesë ditë pasi i ka marrë mjetet financiare, janë fshirë nga persona të autorizuar të organizatës së saj joqeveritare me një ndryshim të evidentuar në Regjistrin Qendror. Në kundërpërgjigje të Risteskit, Bytyqi tha se nëse e gjejnë një euro të marrë nga ai projekt, do t'i kthejë 600 mijë eurot, por nëse jo, atëherë do të kërkojë kompensim nga deputeti dhe partia e tij VMRO-DPMNE.
Pjesë e debatit për amandamente ishte edhe emërimi i sotëm i Radmilla Shekerinskës për zëvendëssekretare të përgjithshme të NATO-s. Bytyqi tha se për këtë arritje të gjithë deputetët duhet t'i përkulen Shekerinskës. Në këtë u përgjigj Lasovska, e cila tha se nuk e kanë ndërmend t'i përkulen Shekerinskës.
Debati për buxhetin për vitin e ardhshëm në Komisionin e Kuvendit për financim dhe buxhet zgjat 10 ditë dhe duhet të përfundojë më së voni deri më 30 nëntor pas së cilës vazhdon në seancë plenare. Sipas ligjit, Buxheti për vitin 2025 duhet të votohet deri më 31 dhjetor. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s