• сабота, 06 декември 2025

FAA i ndërpreu kufizimet, fluturimet në SHBA kthehen në orarin e zakonshëm

FAA i ndërpreu kufizimet, fluturimet në SHBA kthehen në orarin e zakonshëm

Uashington, 17 nëntor 2025 (MIA) - Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së (FAA) njoftoi se nesër do ta ndërpresë urdhrin e saj për reduktim urgjent të fluturimeve, duke mundësuar vazhdimin e operacioneve të zakonshme dhe do t'i japë fund ndërprerjeve disaditëshe, raportoi DPA.

Orari i zakonshëm mund të vazhdojë nga nesër në orën 6 të mëngjesit (1100 GMT), thuhet në deklaratën e përbashkët të sekretarit të transportit Shon Dafi dhe administratorit të FAA-së, Brajan Bedford.

Në deklaratë theksohet se vendimi vijoi pas rekomandimit nga ekipi i sigurimit të FAA-së, i cili shqyrtoi trendet e sigurisë dhe vuri në dukje një "ulje të qëndrueshme të ngjarjeve të shkaktuara nga mungesa e personelit në objektet për kontroll të fluturimeve".

Urdhri urgjent u vendos në kohën e ndërprerjes së punës së qeverisë, më i gjatë në historinë e SHBA-së, kur personeli në kontrollin e fluturimeve kryesisht u reduktua dhe ndërprerjet e fluturimeve në të gjithë SHBA-në u përshkallëzuan.

Ndërprerja doli nga kontesti buxhetor mes demokratëve dhe republikanëve në Kongres që paralizoi një pjesë të madhe të qeverisë federale. Një pjesë e madhe e operacioneve të regullta qeveritare u ndërprenë, me ç'rast shumë zyrtarë federal mbetën pa pagë, duke i përfshirë edhe kontrollorët e fluturimeve.

Në kulmin e ndërprerjes, qindra fluturime u anuluan në nivel ditor.

FAA gradualisht i ka reduktuar operacionet e fluturimeve në 40 aeroporte të mëdha, së pari për 4 për qind, ndërsa më vonë për 6 për qind. Agjencia i reduktoi kufizimet në 3 për qind, të premten duke thënë se niveli i personelit ka vazhduar të përmirësohet pasi ndërprerja 43 ditëshe e punës përfundoi të mërkurën.

Duke e njoftuar fundin e reduktimit, Dafi deklaroi se kontrollorët tani janë kthyer në punë.

"Dua të falënderoj ekipin e përkushtuar të sigurisë të FAA-së për mbajtjen e qiejve tanë të sigurt gjatë mbylljes më të gjatë të qeverisë në historinë e kombit tonë dhe për durimin e vendit ndërsa e vendosim sigurinë në radhë të parë", tha Dafi. sa/

foto: arkivi/lustrim

Остани поврзан