Erdogan: Izraeli e vazhdon pushtimin dhe sulmet ndaj Rripit të Gazës
- Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, tha sot se Hamasi duket i vendosur të respektojë armëpushimin në Rripin e Gazës, ndërsa Izraeli vazhdon pushtimin dhe sulmet e tij.
Ankara, 3 nëntor 2025 (MIA) - Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, tha sot se Hamasi duket i vendosur të respektojë armëpushimin në Rripin e Gazës, ndërsa Izraeli vazhdon pushtimin dhe sulmet e tij.
"Ne përballemi me një administratë që ka masakruar mbi 200 njerëz të pafajshëm që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së armëpushimit dhe gjithashtu ka vazhduar sulmet dhe pushtimin e saj në Bregun Perëndimor. Nuk mund të lejojmë aneksimin e Bregut Perëndimor, ndryshimin e statusit të Jerusalemit ose përpjekjet për të shkelur dinjitetin e Xhamisë Al-Aksa", tha Erdogan në një fjalim në hapjen e takimit të Komitetit të Përhershëm për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregtar të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (COMCEC) në Stamboll.
Ai shtoi se shpreson që vendimet e marra në Forum do të jenë të dobishme për vendet islamike, por edhe për të gjithë botën. Sipas tij, që nga takimi i fundit i COMCEC, ka pasur zhvillime historike në botë, veçanërisht në Lindjen e Mesme.
Erdogan foli edhe për situatën në Siri, duke vënë në dukje se miliona njerëz janë detyruar të largohen nga vendi, përfshirë 3.6 milionë që janë pranuar në Turqi.
"Gjakderdhja përfundoi më në fund me revolucionin më 8 dhjetor të vitit të kaluar, kur Siria hyri në një periudhë rimëkëmbjeje nën udhëheqjen e mençur të presidentit Ahmed al-Shara", tha Erdogan.
Ai përfundoi se Turqia do të vazhdojë të mbështesë Sirinë në fusha që variojnë nga transporti dhe arsimi deri te siguria, tregtia dhe kujdesi shëndetësor, dhe se mbështetja e botës islame është thelbësore për ruajtjen e unitetit politik dhe integritetit territorial të vendit. sa/
foto: EPA