• петок, 05 декември 2025

DokuFest publikon studimin e pavarur për ndikimin e tij ekonomik në Prizren dhe Kosovë

DokuFest publikon studimin e pavarur për ndikimin e tij ekonomik në Prizren dhe Kosovë

Prizren, 5 dhjetor 2025 (MIA)- DokuFest ka publikuar një studim të ri të pavarur, të realizuar nga GAP Institute, i cili mat ndikimin ekonomik të festivalit në Prizren dhe në nivel të Kosovës. Rezultatet konfirmojnë atë që qytetarët, bizneset dhe vizitorët e ndjejnë çdo gusht: DokuFest është jo vetëm festival filmash, por edhe një motor i rëndësishëm ekonomik dhe kulturor për qytetin dhe vendin. 

Sipas studimit, çdo 1 euro e investuar në DokuFest gjeneron 9 euro aktivitet ekonomik, duke e pozicionuar festivalin si një nga ngjarjet më me ndikim në ekonominë lokale dhe në atë kombëtare. 

Për edicionin e 24-t të mbajtur në gusht 2025 në Prizren, studimi tregon se: 

• Vizitorët e festivalit kanë gjeneruar mbi 5.2 milionë euro shpenzime në qytet (akomodim, 

gastronomi, transport dhe shërbime të tjera);

• Festivali ka kontribuar rreth 3.7 milionë euro në Bruto Prodhimin Vendor (BPV) të Kosovës.

Për këtë analizë, GAP Institute ka kombinuar anketimin e vizitorëve të festivalit me të dhënat zyrtare të qarkullimit të bizneseve lokale, për të kuptuar më mirë se si DokuFest ndikon në modelet e shpenzimeve, në rritjen e turizmit dhe në sjelljen e vizitorëve për herë të parë në Prizren dhe Kosovë. 

DokuFest e sheh këtë raport si pjesë të angazhimit afatgjatë për transparencë dhe për të treguar se investimi në kulturë është edhe investim në zhvillimin lokal. Gjatë më shumë se dy dekadave, festivali është shndërruar në një platformë ku bashkohen shfaqjet e filmave, ekspozitat, ligjëratat, punëtoritë, programet edukative dhe ngjarjet muzikore dhe ky studim ndihmon publikun dhe partnerët të kuptojnë më qartë vlerën e këtij kontributi. Teksa DokuFest përgatitet për edicionin jubilar të 25-vjetorit, rezultatet e studimit dërgojnë një mesazh të fortë për institucionet vendore e qendrore, median, partnerët ndërkombëtarë dhe komunitetin: mbështetja e kulturës në Kosovë sjell përfitime të matshme ekonomike dhe shoqërore nga sallat e mbushura dhe sheshet plot, te vendet e reja të punës, turistët e rinj dhe historitë që ndahen me botën. 

DokuFest fton institucionet, mediat, bizneset lokale dhe qytetarët e Prizrenit dhe Kosovës që të lexojnë raportin e plotë të GAP Institute, i cili është i disponueshëm në faqen zyrtare të festivalit, dhe të njihen më në detaj me mënyrat se si festivali kontribuon në jetën kulturore dhe ekonomike të qytetit dhe vendit. 

Për më shumë informata dhe për të shkarkuar raportin e plotë:

DokuFest publikon studim të pavarur mbi ndikimin e tij ekonomi.

Остани поврзан