• четврток, 04 декември 2025

"Ditë të Vardarit": Uji është resurs strategjik, institicionet paralajmërojnë model të ri të menaxhimit

Shkup, 24 nëntor 2025 (MIA) - Uji është resurs i interesit më të lartë strategik për shtetin dhe menaxhimi i saj i qëndrueshëm është kyç për ekonominë, bujqësinë dhe shëndetin e qytetarëve, porositën përfaqësues të institucioneve në ngjarjen e sotme "Ditët e Vardarit 2025", organizuar nga "Programi për menaxhim, shfrytëzim dhe mbrojtje të ujërave nëntokësore në Maqedoni".

Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ane Lashkoska theksoi se Qeveria e ka filluar programin me mbështetje të Zvicrës që të vendoset model i ri i menaxhimit të ujërave, i cili do të sigurojë qënrueshmëri të resurit dhe mbrojtjes së interesit publik.

"Uji është kapitali ynë natyror më i vlefshëm dhe si shtet duhet të veprojmë drejt tij me vizion, disiplinë dhe qëllime afatgjata. Me mbështetjen e Qeverisë së Zvicrës, kemi nisur programin për menaxhimin, përdorimin dhe mbrojtjen e ujërave nëntokësore, jo për të krijuar një dokument tjetër, por për të krijuar një model të ri menaxhimi që do të sigurojë qëndrueshmërinë e burimit dhe mbrojtjen e interesit publik", theksoi Lashkoska.

Ajo theksoi se deri në vitin 2027, kur përfundon faza e parë e programit, do të hidhet baza për rezultate strukturore dhe një sistem që do të gjenerojë ndryshime të matshme.

Sipas zëvendësministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Albrim Hoxha, ndryshimet e reja klimatike kërkojnë menaxhim më të mirë të burimeve. Ai theksoi se të dhënat e sakta dhe të azhurnuara mbi gjendjen e ujërave janë baza për planifikim afatgjatë.

"Deri në vitin 2027, duhet të formojmë një plan të detajuar për rrjedhën e ujit në pellgun e Vardarit, i cili do të ofrojë kapacitete të qëndrueshme për bujqësinë dhe rajonet rurale", theksoi Hoxha.

Drejtori i Drejtorisë së Mjedisit, Igor Nikoski, theksoi se Plani për menaxhim të pellgut të lumit Vardar do të mbulojë 80 për qind të burimeve ujore dhe do të përcaktojë periudhën e re të planifikimit 2028–2033.

"Ky plan nuk është vetëm një përmbledhje e analizave, por një mekanizëm i integruar për vendimmarrje, prioritizim të masave dhe sigurim të qëndrueshmërisë, me theks të fortë në transparencë dhe përfshirje të publikut", theksoi Nikoski.

Sipas këshilltarit mjedisor në Kabinetin e kryeministrit, Dame Dimitrovski, situata mjedisore nuk është në një nivel të lakmueshëm dhe se ndryshimet klimatike sjellin rreziqe përmbytjesh dhe humbje jetësh.

Ambasadori zviceran, Kristof Somer, theksoi se vendi i tij ka investuar prej vitesh në përmirësimin e aksesit në ujë të pijshëm dhe se programi i ri, me një buxhet prej 4,6 milionë frangash zvicerane për fazën e parë, do të lehtësojë dialogun pjesëmarrës dhe do të promovojë menaxhimin e integruar të ujërave.

"Pellgu i lumit Vardar mbulon rreth 80 për qind të trupave ujorë të vendit. Menaxhimi i integruar, reformat ligjore dhe aktivitetet pilot do të hapin rrugën për planin e parë kombëtar të menaxhimit të pellgut të lumit", theksoi Somer.

Kreu i Sektorit për bashkëpunim në Delegacionin e BE-së, Shtefan Hudolin, kujtoi se vendi përballet me sfida të mëdha në menaxhimin e ujërave, duke përfshirë ndotjen e lumenjve, mungesën e planeve të përditësuara dhe legjislacionin joharmonizues. mb/

Foto: MIA

 

 

Остани поврзан