• петок, 05 декември 2025

Dita e Alfabetit shqip - 117 vjet nga Kongresi i Manastirit

Dita e Alfabetit shqip - 117 vjet nga Kongresi i Manastirit

Shkup, 22 nëntor 2025 (MIA) - Sot është Dita e Alfabetit të gjuhës shqipe, i cili u unifikua 117 vjet më parë në Kongresin e Manastirit. 

Më 14 nëntor 1908 në Manastir filloi punimet Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit me qëllim krijimin e një alfabeti të njehsuar që do të ishte edhe fillimi i letërsisë mbarëshqiptare.

Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj. 

Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri i biri i Abdyl Frashërit. Mit’hat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik “Liria” dhe “Dituria”. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë. 

Nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka nga Korça si dhe 11 anëtarë të tjerë. Në këtë Kongres merrnin pjesë shqiptarë të të gjitha komuniteteve fetare si, myslimanë, katolikë, ortodoksë, protestantë, njerëz të ditur të bashkuar për një qëllim të madh kombëtar. 

Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, preku të gjithë pjesëmarrësit sa një hoxhë rendi ta përqafonte para të gjithëve. Kërkesa ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin. 

Kongresi vendosi me votë unanime për të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit dhe të shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, alfabet që përdoret në ditët tona. 

Gjithashtu u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njehsuar shqipe. 

Kongresi vendosi ngritjen e shtypshkronjës shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe. 

Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit 20, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë. 

Në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të gjuhës shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër. ls/

Foto: MIA

Остани поврзан