De Laurentis mohon zërat për dorëheqjen e Kontes: Jam krenar që e kam pranë vetes në Napoli
- Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis u është përgjigjur zërave për dorëheqjen e mundshme të trajnerit, Antonio Konte.
Napoli, 11 nëntor 2025 (MIA) - Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis u është përgjigjur zërave për dorëheqjen e mundshme të trajnerit, Antonio Konte.
Dje, gazetari Mateo Moreto, informoi për një takim midis italianit 56-vjeçar dhe drejtuesve të klubit për të diskutuar largimin e tij të mundshëm.
"Lexoj histori në internet për dorëheqjen e Kontes. I dua mediat sociale, sepse janë një mënyrë moderne dhe e shpejtë për të ndarë mendime. Por, siç e dimë, mendimet jo gjithmonë janë të sakta dhe të përshtatshme. Tifozëve që kanë lexuar të gjitha këto çmenduri, ju them: Jam krenar që kam pranë një njeri kaq të sinqertë si Antonio Konte, i cili është i aftë të sakrifikojë çdo sekondë të jetës së tij për profesionin e tij me bujari dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Kjo është garancia më e rëndësishme që mund t'i jepet sot klubit, lojtarëve dhe tifozëve me kërkesa të larta si Napoli", shkroi De Laurentis në profilin e tij në rrjetin social "X".
Konte është në krye të Napolit që nga vera e vitit 2024. Sezonin e kaluar, skuadra fitoi trofeun e kampionatit italian në futboll.
Më 9 nëntor, Napoli humbi 2:0 ndaj Bolonjës në raundin e 11-të të Serisë A. Kjo ishte humbja e tretë radhazi e pikëve për ta, pas barazimit 0:0 me Komon në kampionatin vendas dhe barazimit 0:0 me Ajntrahtin e Frankfurtit në Ligën e kampionëve.
Me 22 pikë, Napoli është i katërti në tabelën e Serisë A.
Foto: EPA