• среда, 26 јуни 2024

Borrel: BE-ja e përshëndet Rezolutën e KB-së për përkrahje të planit të Bajdenit për Gazën

Borrel: BE-ja e përshëndet Rezolutën e KB-së për përkrahje të planit të Bajdenit për Gazën

Bruksel, 11 qershor 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian e përshëndet miratimin e Rezolutës 2735 të Këshillit për Siguri të Kombeve të Bashkuara, me të cilën përkrahet propozimi i ri për armëpushim, të shpallur më 31 maj, thuhet në deklaratën e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Zhozep Borrel lidhur me miratimin e dokumentit, me të cilin përkrahet plani për armëpushim në Gazë të propozuar nga presidenti amerikan, Xho Bajden.

"BE-ja përkujton në përkrahjen e saj të plotë të udhërrëfyesit të përgjithshëm, të prezantuar nga presidenti i SHBA-së, Xho Bajden. U bëjmë thirrje të dy palëve që ta pranojnë dhe implementojnë propozimin në tre faza", thuhet në deklaratë.

Borrel më tej thekson se BE-ja njëheri kërkon zbatimin urgjent të kësaj rezolute, si dhe të 2728, 2720 dhe 2712 të Këshillit të Sigurimit të KB-së.

"BE-ja është e gatshme të kontribuojë për jetësimin e procesit politik për paqe të përhershme dhe të qëndrueshme, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete dhe të përkrah përpjekje të koordinuara ndërkombëtare për rindërtim në Gazë", thuhet në deklaratën e Borrelit.

Këshilli i Sigurimit të KB-së mbrëmë me 14 vota "për" dhe një "të përmbajtur" miratoi rezolutë, me të cilën shprehet përkrahja e propozimit të prezantuar nga presidenti amerikan, Xho Bajden për armëpushim urgjent në Gazë. Për miratimin e rezolutës votuan 14 anëtarë të Këshillit të Sigurimit të KB-së, ndërsa Rusia ishte e përmbajtur.

Në tekstin potencohen edhe përpjekjet diplomatike të Egjiptit, SHBA-së dhe Katarit për vënien fund të konfliktit, thuhet se Izraeli e ka pranuar planin e Bajdenit dhe i bën thirrje Hamasit që ta bëjë të njëjtën.

Plani i Bajdenit, i promovuar më 31 maj, përfshin tre faza. Faza e parë parasheh armëpushim, lirimin e grave, fëmijëve dhe personave të moshuar të rrëmbyer nga ana e Hamasit në zëvendësim për të burgosur palestinezë, tërheqjen e forcave izraelite nga vendbanimet në Gazë, rritjen e ndihmës humanitare për popullatën civile palestineze, ripërtitjen e shërbimeve themelore dhe kthimin e civilëve në shtëpitë e tyre në tërë territorin e Rripit.

Në fazën e dytë parashihet fillim i negociatave për zgjidhje përfundimtare paqesore, lirimin e të gjithë izraelitëve tjerë të rrëmbyer nga ana e Hamasit dhe tërheqje të plotë e forcave izraelite nga Gaza.

Faza e tretë parashikon zbatimin e planit për rindërtim të Gazës, që do të zgjat disa vite. bsh/

Foto: MIA arkiv

 

Остани поврзан