Bilanci i vdekjeve nga zjarri katastrofal në Hong Kong është rritur në 128 persona
- Numri i të vdekurve në zjarrin që shpërtheu në disa ndërtesa banimi shumëkatëshe në "Vang Fuk Kort" në Hong Kong është rritur në 128 persona, konfirmuan autoritetet lokale në konferencën e sotme për shtyp.
Hong Kong, 28 nëntor 2025 (MIA) – Numri i të vdekurve në zjarrin që shpërtheu në disa ndërtesa banimi shumëkatëshe në "Vang Fuk Kort" në Hong Kong është rritur në 128 persona, konfirmuan autoritetet lokale në konferencën e sotme për shtyp.
Zjarri, i cili u shua plotësisht rreth orës 10:18 sipas orës lokale (02:18 sipas Griniç), la gjithashtu të paktën 79 të lënduar, ndërsa dhjetëra njerëz rezultojnë ende të zhdukur.
Autoritetet kumtuan se 16 trupa ndodhen ende në objektet, ndërsa 89 nga viktimat e gjetura nuk janë identifikuar ende. Për identifikimin e të vdekurve do të përdoren metoda të shumëfishta, përfshirë analizën e ADN-së, njoftoi Bi-Bi-Si.

Nëpunësit e Shërbimit të zjarrfikësve kumtuan se pas shpërthimit të zjarrit, është kryer kontroll i alarmeve të zjarrit në të tetë blloqet dhe është konfirmuar se ato nuk punon. Kjo konfirmon deklaratat e disa banorëve se alarmet e tyre nuk u aktivizuan kur shpërtheu zjarri. Autoritetet paralajmëruan se do të ndërmarrin masa shtesë lidhur me ketë.
Shefi i sigurisë, Tang Ping-Keung, deklaroi se përhapjen e shpejtë të zjarrit ia atribuon stiroporit të vendosur jashtë dritareve të banesave.
Zjarri filloi në katet e poshtme dhe u përhap në nivelet e sipërme. Hetimi për përcaktimin e shkakut është në vjim, ndërsa në kulmin e tij, temperatura e zjarrit arriti në 500°C, duke bërë që zjarri të rindizet në disa vende pasi u shua fillimisht. Edhe pse zjarri është shuar, disa pjesë të ndërtesave ende kanë temperatura mbi 200 gradë Celsius.
Në konferencën e sotme për shtyp u njoftua gjithashtu se 391 automjete zjarrfikëse dhe 188 ambulanca u mobilizuan në operacionin e shuarjes së zjarreve dhe shpëtimit. Më shumë se 2.311 zjarrfikës morën pjesë në operacion, ku 12 anëtarë të shërbimit pësuan lëndime.
Autoritetet konfirmuan se nuk u përdorën helikopterë, pasi besojnë se spërkatja ajrore me ujë nuk është efektive për shuarjen e zjarreve brenda ndërtesave. Gjithashtu nuk u përdorën dronë, por po shqyrtohen mënyra për t'i përdorur ato në operacione të ngjashme në të ardhmen.

Në kërkimin për të mbijetuar, janë kontrolluar më shumë se 1.018 njësi banimi.
Policia sot do të fillojë të hyjë në ndërtesaz për të mbledhur prova, ndërsa hetimi pritet të zgjasë tre deri në katër javë.
Ndërkohë, hetimi për korrupsion, i cili u nis pas arrestimit të tre personave përgjegjës për rinovimet në kompleks, do të drejtohet nga Komisioni i Pavarur Kundër Korrupsionit (ICAC) në Hong Kong.
Qeveria e Hong Kongut ka premtuar se do të krijojë "skema të ndryshme" për të siguruar ndihmë financiare për familjet që kanë humbur shtëpitë e tyre. Një konferencë e veçantë për shtyp do të mbahet më vonë për të shpjeguar të gjitha masat ekonomike për ndihmë.
Autoritetet paralajmëruan gjithashtu se do të krijojnë një sistem për regjistrimin e të gjithë personave të lënduar dhe të zhdukur, për ta bërë më të lehtë për të afërmit t'i gjejnë ata.
Qeveria e Hong Kongut ka hapur tashmë disa strehimore dhe qendra mbështetëse në Tai Po, të cila ofrojnë shërbime të tilla si subvencione në para dhe ndihmë për strehim. Vullnetarët dhe ekipet qeveritare po punojnë për të mbledhur dhe organizuar donacione veshmbathjesh dhe produkte higjienike për të pësuarit. ls/
Foto: DPA