BE dënon sulmet izraelite në Libanin jugor, bën thirrje për respektimin e armëpushimit me Hezbollahun
- Bashkimi Evropian dënoi sulmet e fundit ajrore izraelite në Libanin jugor dhe bëri thirrje për respektimin e armëpushimit të arritur me lëvizjen shiite libaneze Hezbollah një vit më parë.
Bruksel, 8 nëntor 2025 (MIA) - Bashkimi Evropian dënoi sulmet e fundit ajrore izraelite në Libanin jugor dhe bëri thirrje për respektimin e armëpushimit të arritur me lëvizjen shiite libaneze Hezbollah një vit më parë.
"BE-ja i bën thirrje Izraelit të ndërpresë të gjitha veprimet që shkelin rezolutat e KB-së dhe marrëveshjen e armëpushimit të arritur në nëntor të vitit 2024", deklaroi sot një zëdhënës i politikës së jashtme të BE-së.
"Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje palës libaneze, në veçanti Hezbollahut, të përmbahet nga çdo veprim ose reagim që mund ta përkeqësojë më tej situatën. Të gjitha palët duhet të punojnë për të ruajtur armëpushimin dhe progresin e bërë deri më tani", shtoi zëdhënësi.
Izraeli para dy ditëve kreu sulme ajrore në Libanin jugor, duke pretenduar se objektivat ishin pozicionet e lëvizjes pro-iraniane Hezbollah. Izraeli e akuzoi grupin për përpjekjet e vazhdueshme për të rindërtuar infrastrukturën e tij terroriste në rajon.
Armata libaneze bëri të ditur se sulmet izraelite në jug të vendit kishin për qëllim "parandalimin e përfundimit të procesit të vendosjes së njësive të saj" në rajon, në përputhje me një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hezbollahut.
Sulmet izraelite u dënuan nga presidenti libanez Xhosef Aun, si dhe nga Irani, autoritetet e të cilit kanë bërë thirrje për një reagim nga bashkësia ndërkombëtare.
Foto: Arkivi i MIA-s