• петок, 28 јуни 2024

BE dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshje për detyrimet e përbashkëta të sigurisë

BE dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshje për detyrimet e përbashkëta të sigurisë

Bruksel, 28 qershor 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian dhe Ukraina ndajnë vlera të përbashkëta, të tilla si demokracia, respektimi i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore dhe sundimi i ligjit, si dhe interesat e përbashkëta për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin, bëhet e ditur në marrëveshjen për detyrimet e përbashkëta të sigurisë të nënshkruar dje para fillimit zyrtar të Samitit të BE-së në Bruksel nga presidentët e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian, Sharl Mishel dhe Ursula fon der Lajen, dhe kreu i shtetit të Ukrainës, Volodimir Zelenski.

"Të përkushtuar ndaj këtyre vlerave dhe interesave të përbashkëta dhe në përputhje me konkluzionet e Këshillit Evropian të qershorit, tetorit dhe dhjetorit të vitit 2023 dhe Deklaratës së përbashkët për mbështetje të Ukrainës të 12 korrikut të vitit 2023, Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të tij, së bashku me partnerët, do të kontribuojnë në planin afatgjatë në detyrimet e sigurisë ndaj Ukrainës, të cilat do të ndihmojnë Ukrainën të mbrojë veten, t'i rezistojë përpjekjeve të destabilizimit dhe të pengojë aktet e agresionit në të ardhmen", bëhet e ditur në dokumentin.

Në të, siç lajmëroi korrespondentja e MIA-s, të dyja palët nënshkruese përsërisin dënimin e tyre të vendosur të agresionit rus kundër Ukrainës, si shkelje evidente e Kartës së OKB-së, ndërsa Bashkimi Evropian gjithashtu riafirmon mbështetjen e tij të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht që nga viti 1991, të drejtën e saj për vetëmbrojtje nga agresioni rus të përcaktuar në nenin 51 të Kartës së OKB-së dhe synimin e saj për paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme.

"Bashkimi Evropian përsërit se e ardhmja e Ukrainës dhe qytetarëve të saj është brenda BE-së dhe përkujton vendimet historike të Këshillit Evropian për të dhënë statusin e kandidatit dhe për të hapur negociatat e aderimit me Ukrainën. Bashkimi Evropian mirëpret përparimin e rëndësishëm të bërë nga Ukraina, madje edhe në kushte të luftës së vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës", shtohet në marrëveshjen.

Në dokumentin theksohet se BE-ja dhe vendet anëtare të saj janë kontribuesit kryesorë në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e menjëhershme dhe afatgjatë të Ukrainës, përmes ndihmës ushtarake dhe civile, mbështetjes humanitare, financiare, tregtare dhe ekonomike, pranimit të personave të zhvendosur, mbështetjes për reforma, rimëkëmbjes

dhe rindërtimit, si dhe përmes masave kufizuese, mbështetjes për mekanizmat e përgjegjësisë, mbështetjes diplomatike dhe disponueshmërisë globale.

"E gjithë ndihma për Ukrainën dhe popullin e saj nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të saj deri më tani arrin në pothuajse 108 miliardë euro, duke përfshirë 39 miliardë euro mbështetje ushtarake, nga të cilat 6,1 miliardë euro përmes Fondit Evropian të Paqes (EPF). Fondi i sapokrijuar për Ndihmë për Ukrainën nën EPF shton pesë miliardë euro plotësues për vitin 2024 për të siguruar ndihmë dhe trajnim të mëtejshëm ushtarak, dhe mund të parashikohen rritje shtesë vjetore deri në vitin 2027, bazuar në nevojat ukrainase dhe udhëzime politike nga Këshilli", bëhet e ditur në dokumentin.

Më tej rikujtohet se BE krijoi mekanizëm ukrainas me vlerë prej 50 miliardë eurosh për të siguruar mbështetje të parashikueshme financiare për Ukrainën në periudhën 2024-2027, nga të cilat 7,9 miliardë euro tashmë janë paguar dhe ranë dakord të përdorin të ardhurat nga interesi për mjetet e ngrira ruse për të mbështetur vendin.

"Bashkimi Evropian është i vendosur të vazhdojë t'i sigurojë Ukrainës dhe popullit të saj të gjithë mbështetjen e nevojshme politike, financiare, ekonomike, humanitare, ushtarake dhe diplomatike për aq kohë sa është e nevojshme dhe intensivisht sa është e nevojshme", theksohet në marrëveshjen.

Në dokumentin theksohet edhe se mbështetja ushtarake dhe detyrimet e sigurisë do të ofrohen në respekt të plotë të politikës së sigurisë dhe mbrojtjes së vendeve të caktuara të BE-së dhe duke marrë parasysh interesat e sigurisë dhe mbrojtjes së të gjithë anëtarëve.

Nga ana e saj, Ukraina angazhohet të vazhdojë zbatimin e reformave si pjesë e përpjekjeve të saj për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, si dhe në fushat e sigurisë, inteligjencës dhe mbrojtjes.

“Kjo përfshin mbikëqyrjen civile të forcave të sigurisë dhe mbrojtjes, efikasitetin dhe transparencën e institucioneve të mbrojtjes dhe forcimin e industrisë së saj të mbrojtjes, bazuar në Strategjinë Industriale Evropiane të Mbrojtjes”, bëhet e ditur në marrëveshjen.

Përveç kësaj, Ukraina merr përsipër të forcojë transparencën dhe llogaridhënien në lidhje me përdorimin e ndihmës së marrë, si dhe të kontribuojë në sigurinë e Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të tij, duke përfshirë shkëmbimin e informacioneve .

Foto: Skrinshot

Остани поврзан