BDI: Qytetarët në mëshirën e një politike mashtrimi që promovon përjashtimin etnik
- Kanë kaluar muaj të tërë që nga zbatimi i programit zgjedhor të VMRO-DPMNE-së nëpërmjet vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ndalimin e përkatësisë etnike dhe anulimin e mekanizmit të balanserit.
Shkup, 23 dhjetor 2024
Kanë kaluar muaj të tërë që nga zbatimi i programit zgjedhor të VMRO-DPMNE-së nëpërmjet vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ndalimin e përkatësisë etnike dhe anulimin e mekanizmit të balanserit.
Qytetarët u mashtruan me premtimin për një ligj të ri që do të adresonte këtë padrejtësi, por ligji nuk duket as sot e kësaj dite!
Në vend të kësaj, institucionet, sidomos ato të sigurisë, po spastrohen nga shqiptarët me një projekt të qartë që nuk mund të quhet ndryshe pos përjashtim etnik.
Një tjetër premtim që ra në ujë ishte ai për ndryshime kushtetuese brenda gjashtë muajve.
Premtuan masa disiplinore për policin që poshtëroi flamurin shqiptar - mashtruan.
Është instaluar një politikë mashtrimi për të blerë kohë dhe për të mbajtur pushtetin, por shqiptarët dhe qytetarët që besojnë në barazi dhe drejtësi i kanë lexuar qartë veprimet e këtij pushteti me legjitimitet monoetnik.
Institucionet, që dikur u shërbenin të gjithëve, tani janë kthyer në mjete të përjashtimit etnik dhe krijimit të hegjemonisë!
Shqiptarët po përjashtohen dhe margjinalizohen në mënyrë sistematike, dhe kjo nuk është vetëm një padrejtësi ndaj një etnie, por një goditje ndaj demokracisë dhe stabilitetit të vendit.
Toleranca ndaj kësaj politike po mbaron!
Fati i këtij vendi nuk mund të jetë në mëshirën e një fryme që jeton në të kaluarën!
Shkurt dhe shqip: Vleni - S’vlen!
Bashkimi Demokratik për Integrim
_______________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.
Fotografia: Arkivi i MIA-s