• четврток, 25 декември 2025

Arabia Saudite u lejoi edhe rezidentëve të huaj të blejnë alkool në një dyqan në Riad

Arabia Saudite u lejoi edhe rezidentëve të huaj të blejnë alkool në një dyqan në Riad

Riad, 21 dhjetor 2025 (MIA) – Arabia Saudite u ka lejuar rezidentëve të pasur të huaj të blejnë alkool në të vetmin dyqan në të cilin shitet alkool në Riad, gjë që po interpretohet si hapi i fundit në procesin e liberalizimit të kujdesshëm të mbretërisë dikur ultrakonservatore.

Për këtë vendim nuk pati asnjë njoftim zyrtar nga autoritetet, por informacioni u përhap shpejt midis të huajve në vend.

Përpara dyqanit diskret dhe pa shenja dalluese në lagjen diplomatike të kryeqytetit saudit, ditët e fundit janë parë radhë të gjata të automjeteve dhe njerëzve, raportuan agjencitë botërore.

Dyqani u hap në janar 2024 ekskluzivisht për diplomatët jo-muslimanë, ndërsa rregullat e reja tani u lejojnë të blejnë alkool edhe  të huajve jo-muslimanë që kanë një të ashtuquajtur leje qëndrimi premium.

Ky lloj statusi qëndrimi është i destinuar për të huajt me aftësi të specializuara, investitorët dhe sipërmarrësit dhe është pjesë e një strategjie më të gjerë për të tërhequr kapital dhe ekspertë të huaj.

Arabia Saudite e ndaloi alkoolin në fillim të viteve 1950. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

Остани поврзан