• петок, 20 февруари 2026

Andonovski: Qytetarët duan t'i shfrytëzojnë shërbimet elektronike, prej sot me disa klikime deri në certifikatë nga libri amë i të lindurve, të kurorëzuarve...

Andonovski: Qytetarët duan t'i shfrytëzojnë shërbimet elektronike, prej sot me disa klikime deri në certifikatë nga libri amë i të lindurve, të kurorëzuarve...

Shkup, 22 janar 2025 (MIA) – Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Anonovski deklaroi sot se për momentin ka mbi 300 mijë shfrytëzues të Sistemit për Hyrje të Vetme (SHV), si dhe mbi 240 mijë shfrytëzues së Portalit Kombëtar për Shërbime Elektronike, që, siç tha, është tregues se qytetarët duan t’i shfrytëzojnë shërbimet elektronike, nëse ato ua kryejnë punën. 

“Sa i përket numrave, në vitin 2024 kishim 120 mijë përdorues të Portalit, me më pak se gjysmë shërbimi për përdorues. Aktualisht, kemi mbi 240 mijë përdorues të Portalit dhe mbi 300 mijë përdorues të Sistemit për Hyrje të Vetme, dhe numri i shërbimeve është rritur me 100, 120 për qind. Kjo tregon se qytetarët duan të përdorin shërbime elektronike, nëse e kryejnë punën e tyre. Askush prej nesh nuk dëshiron të presë në radhë dhe ta bëjë këtë në letër nëse mund të marrë një dokument elektronik”, theksoi Andonovski sot në konferencë për media, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në lidhje me përdorimin e shërbimeve elektronike nga qytetarët deri më tani dhe nëse e gjithë kjo do të thotë eliminim i plotë i letrës.

Në konferencën për media në të cilën ishin prezantuar katër shërbime të reja në Fondin e Sigurimit Shëndetësor, të cilat prej tani janë në dispozicion në Portalin Kombëtar për Shërbime - uslugi.gov.mk, Andonovski theksoi se në gjithë këtë proces merret një qasje strategjike, gjegjësisht asnjëherë nuk do të lejohen shërbime të cilat ekzistonin në letër të zëvendësohen me shërbime plotësisht elektronike, nëse kjo nuk është në interes të qytetarëve. 

“Nëse ndonjë qytetar vlerëson se dëshiron ta kryejë shërbimin me letër, ai është ofruar në atë mënyrë, këtë do të vazhdojë ta bëjë edhe në praktikë. Sa i përket shërbimeve të reja të cilat i ofrojmë, siç ishin kuponët për studentë, qëllimisht në mënyrë strategjike vendosëm që ata të jenë vetëm përmes Portalit për shërbime, që t’i mësojmë se munden dhe duhen ta shfrytëzojnë, ta promovojmë te më të rinjtë”, tha Andonovski. 

Sa i përket shërbimeve nga Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amë prej sot, siç tha ministri, ato janë migruar plotësisht në Portalin Kombëtar, që do ta përshpejtojë shfrytëzimin e tyre dhe janë plotësisht digjitale për dallim prej më parë. 

“Vërtetimet, gjegjësisht certifikata nga libri amë i të lindurve, libri amë i të kurorëzuarve, të vdekurve dhe shërbimi i ri falas i gjendjes martesore, prej sot janë plotësisht në dispozicion në Portal dhe me disa klikime qytetarët mund t’i marrin edhe ato shërbime, që do të thotë efikasitet më i madh i Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë dhe kontroll më i madh nga ana jonë si Ministri e këtij dikasteri me ritmin e lëshimit të këtyre shërbimeve”, theksoi Andonovski. 

Andonovski dhe Drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Sasho Klekovski, informuan në konferencën e sotme për media se janë futur shërbime elektronike për persona fizikë: vërtetim për regjistrim dhe çregjistrimit në sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, vërtetim i personit të siguruar ose të pasiguruar dhe kontributit të paguar, vërtetim i kompensimit të pagës së paguar gjatë paaftësisë së përkohshme për punë, ndërsa për personat juridikë është aktivizuar shërbimi elektronik për lëshimin e vërtetimit të kontributit të paguar për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor. fc/

Foto: Printskrin

Остани поврзан