Fetai: Gjuha shqipe qëndrestare përballë çdo sfide, bashkëjetesa shumëgjuhëshe është vlerë e shoqërisë sonë
- Në ambientet e Klubit të Deputetëve sot u shënua Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, akademikëve, profesorëve universitarë, studiuesve dhe të ftuarve të tjerë.
Shkup, 20 shkurt 2026 (MIA) - Në ambientet e Klubit të Deputetëve sot u shënua Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, akademikëve, profesorëve universitarë, studiuesve dhe të ftuarve të tjerë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, zëvendëskryeministri për qeverisje të mire Arben Fetai theksoi rëndësinë e gjuhës amtare si themel i identitetit kulturor, institucional dhe shoqëror, duke vënë theks të veçantë në përdorimin korrekt dhe të qartë të gjuhës në administratë, arsim dhe media.
Ai nënvizoi se gjuha shqipe në këto hapësira ka kaluar rrugë të gjatë historike, duke mbetur gjithmonë e gjallë dhe funksionale, pavarësisht sfidave. Në këtë drejtim, ai theksoi se hartimi dhe promovimi i fjalorit të ri përbën hap të rëndësishëm drejt standardizimit dhe unifikimit të terminologjisë në dokumentet zyrtare, tekstet shkollore dhe komunikimin publik.

Ai shtoi se në kohën e komunikimit të menjëhershëm dhe të shpërndarjes së shpejtë të informacionit, përgjegjësia për përdorim të drejtë dhe profesional të gjuhës bëhet edhe më e madhe, sidomos për institucionet publike dhe mediat.
Në përmbyllje, zëvendëskryeministri i parë shprehu mirënjohje për punën dhe angazhimin e profesorëve, studiuesve dhe ekspertëve që kanë kontribuar në përgatitjen e fjalorit të ri, duke uruar që ai të bëhet referencë e përditshme në praktikën institucionale, arsimore dhe mediatike.
Mbetemi të përkushtuar në mbështetjen e nismave që forcojnë përdorimin e drejtë, të barabartë dhe funksional të gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, në përputhje me standardet ligjore dhe parimet e bashkëjetesës shumëgjuhësore. mb/
Foto: Kabineti i zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë