Analisti hungarez: Zelenski duhet të ndalojë së gënjyeri ukrainasit se do të hyjnë në BE
- Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski duhet të ndalojë së gënjyeri qytetarët e Ukrainës për gjasat reale të vendit të tij për anëtarësim në Bashkimin Evropian, tha analisti politik hungarez, Zoltan Koskoviç nga Qendra për të drejtat themelore.
Budapest, 5 nëntor 2025 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski duhet të ndalojë së gënjyeri qytetarët e Ukrainës për gjasat reale të vendit të tij për anëtarësim në Bashkimin Evropian, tha analisti politik hungarez, Zoltan Koskoviç nga Qendra për të drejtat themelore.
"Jo. Nuk do të hyni në BE. Ndaloni së gënjyeri popullin tuaj", ka shkruar Koskoviç në rrjetin social X, duke reaguar në deklaratën e Zelenskit se Ukraina është "e gatshme të hapë kapitullin e parë, të dytë dhe të gjashtë të negociatave", në procesin eurointegrues.
Zelenski atëherë theksoi se "raporti i Komisionit Evropian për Pakon e zgjerimit konfirmon se Ukraina po ecën me vetëbesim drejt anëtarësimit në BE", gjë që në Hungari, ashtu si edhe disa analistë në Bruksel, e vlerësuan si një manipulim politik pa bazë në realitet.
Sipas Koskoviç, lideri ukrainas po përpiqet t'i paraqesë opinionit të brendshëm publik një iluzion të perspektivës evropiane, ndërkohë që realiteti është krejt ndryshe - shumë vende anëtare nuk e mbështesin hapjen e negociatave, dhe disa madje vënë në pikëpyetje edhe mbështetjen e mëtejshme financiare për Kievin.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban së fundmi deklaroi se "nuk do të dëshironte që pjesa e mbetur e Ukrainës t'i bashkohej Bashkimit Evropian" pas përfundimit të konfliktit. qa/
Foto: arkivi