Aleanca për Shqiptarët: Pazaret e natës po dalin në shesh - Qytetarët po e kuptojnë lojën politike të komplotistëve të ASH-së
- Informacionet tona për pazare nate, shantazhe dhe transfere interesi rezultuan të jenë tërësisht të sakta. Me ngut, në seancën e fundit të Qeverisë së VMRO-DPMNE dhe VLEN-it, ish-deputeti Salim Sulejmani u emërua si i dërguar special në Arabinë Saudite – dhe jo si ambasador i plotfuqishëm, siç ishte pritur nga ai dhe mbështetësit e tij. Ky është një nënçmim i drejtpërdrejtë, i cili vetëm sa e konfirmon natyrën e pazarit të ulët politik, në këmbim të dorëzimit të mandatit të deputetit.
Shkup, 28 maj 2025
Informacionet tona për pazare nate, shantazhe dhe transfere interesi rezultuan të jenë tërësisht të sakta. Me ngut, në seancën e fundit të Qeverisë së VMRO-DPMNE dhe VLEN-it, ish-deputeti Salim Sulejmani u emërua si i dërguar special në Arabinë Saudite – dhe jo si ambasador i plotfuqishëm, siç ishte pritur nga ai dhe mbështetësit e tij. Ky është një nënçmim i drejtpërdrejtë, i cili vetëm sa e konfirmon natyrën e pazarit të ulët politik, në këmbim të dorëzimit të mandatit të deputetit.
Një tjetër skenar i paralajmëruar nga ne, po bëhet realitet: Azir Aliu po emërohet Ministër i Shëndetësisë – një tjetër post personal që blen heshtje dhe tradhti ndaj vullnetit të qytetarëve shqiptarë.
Këto emërime, së bashku me zhvillimet që priten në ditët në vijim, janë dëshmi e qartë se grupi i Arben Fetait është instrument qeveritar, i joshur me privilegje dhe kolltukë, i cili ka vetëm një mision: të dëmtojë Aleancën për Shqiptarët dhe të tradhtojë interesin qytetar shqiptar.
Por koha i zbulon të gjithë! Fytyra e vërtetë e komplotistëve të mbështetur nga qeveria po del në shesh. Ata po izolohen përditë nga qytetari shqiptar, i cili i njeh tashmë dallimet mes idealeve të pastra të ASH-së dhe interesave personale të kolaboracionistëve politikë.
Derisa VLEN dhe krahu i komplotistëve të ASH-së po qëndrojnë në një qeveri antishqiptare, ne – Aleanca për Shqiptarët – qëndrojmë me qytetarin shqiptar, i cili po e braktis këtë kastë pa legjitimimet dhe pa përkrahje popullore.
Ne jemi në rrugën e drejtë!
Ne e dëshmuam që nuk e shesim vullnetin e qytetarëve për të mbajtur poste e privilegje. Ne nuk bëjmë pazare me të ardhmen e shqiptarëve.
Aleanca për Shqiptarët
___________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.