Ademi: Raporti i KE-së është i qartë: reformat kanë ngecur, kapacitetet institucionale janë të dobëta, Qeveria dështoi ta transformojë ekonominë
- Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ndaj vlerësimit zyrtar të Komisionit Evropian për Grup-Kapitullin e Tretë, Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse, raport i cili nxjerr në pah ngecje serioze në zhvillimin ekonomik, politikat sociale, investimet publike dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë së Maqedonisë së Veriut.
Shkup, 3 dhjetor 2025
Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ndaj vlerësimit zyrtar të Komisionit Evropian për Grup-Kapitullin e Tretë, Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse, raport i cili nxjerr në pah ngecje serioze në zhvillimin ekonomik, politikat sociale, investimet publike dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë së Maqedonisë së Veriut.
Ky kapitull përbën një nga shtyllat themelore të procesit të integrimit evropian, sepse lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e jetës së qytetarëve, me punësimin, me reformat ekonomike dhe me ndërtimin e një tregu modern e konkurrues në përputhje me standardet e BE-së.
Raporti i Komisionit është i qartë: reformat kanë ngecur, kapacitetet institucionale janë të dobëta dhe qeveria aktuale ka dështuar të transformojë ekonominë sipas kërkesave të kapitullit që përcakton konkurrueshmërinë e vendit.
Kritikat kryesore të BE-së për Grup-Kapitullin e Tretë:
1. Transporti – projekte të bllokuara, investime të pashfrytëzuara
• Ritmi i punimeve në korridoret strategjike mbetet i pakënaqshëm.
• BE evidenton mangësi në planifikim, vonesa të natyrës sistemike dhe mungesë kapacitetesh në menaxhimin e projekteve kapitale.
• Investimet e pakordinuara komprometojnë lidhjen rajonale dhe dobësojnë konkurrueshmërinë ekonomike.
2. Energjia – tranzicion i ngadalshëm, varësi e lartë nga importet
• Pavarësisht potencialit të madh, burimet e rinovueshme dhe energjia e gjelbër po zhvillohen me ritëm të papërfillshëm.
• Varshmëria nga importet energjetike mbetet e lartë, duke rritur pasigurinë dhe kostot.
• Komisioni thekson mungesë transparence, vonesa ligjore dhe rregullatore, si dhe menaxhim të dobët të krizave.
3. Doganat – digjitalizim i pambaruar
• Sistemi doganor nuk është modernizuar sipas standardeve të BE-së.
• Mungesa e integrimit me sistemet evropiane, infrastruktura teknologjike e vjetruar dhe kapacitetet e kufizuara rrisin rrezikun për korrupsion.
4. Tatimet – administratë joefikase dhe pa mjete moderne
• Raporti evidenton mungesë kapacitetesh në luftën kundër evazionit fiskal dhe informalitetit.
• Sistemet IT mbeten të vjetruara, ndërsa reformat fiskale janë të pjesshme e jo të qëndrueshme.
• Besueshmëria në administratën tatimore është e ulët.
5. Politikat sociale dhe punësimi – stagnim dhe moszbatim
• Nuk ka progres të mjaftueshëm në uljen e varfërisë dhe rritjen e përfshirjes sociale.
• Programet e punësimit aktiv janë të kufizuara dhe nuk arrijnë grupet vulnerabël.
• Paga minimale dhe politikat e tregut të punës nuk janë të harmonizuara me standardet evropiane.
6. Arsimi – reforma të ngadalta dhe mungesë cilësie
• Arsimi nuk prodhon aftësitë që kërkon tregu i punës.
• Digjitalizimi është i pjesshëm dhe mësimdhënësit kanë mungesë të trajnimit të vazhdueshëm.
• BE kritikon mungesën e zbatimit të reformave të paralajmëruara prej vitesh.
Mesazhi i BE-së: Ekonomia nuk është e përgatitur për konkurrencën e BE-së
Komisioni Evropian vlerëson se, për shkak të reformave të pamjaftueshme dhe zbatimit joefikas të politikave publike:
• ekonomia është e brishtë,
• konkurrueshmëria është e ulët,
• investimet janë të ngadalta,
• tregu i punës nuk është modern,
• politikat sociale nuk përkthehen në zbatim real për qytetarët.
Këto gjetje përbëjnë një alarm të qartë mbi drejtimin ekonomik të vendit.
BDI vlerëson se konkluzionet e Komisionit Evropian tregojnë në mënyrë të paanshme se:
• qeveria aktuale ka ngecur zhvillimin ekonomik të vendit,
• nuk ka modernizuar sektorët kyç të ekonomisë,
• nuk ka ndërtuar një strategji të qëndrueshme për konkurrueshmërinë,
• ka vonuar tranzicionin energjetik dhe investimet në transport, digjitalizim dhe inovacion.
Këto dështime e largojnë vendin nga standardet që kërkohen për hapjen dhe mbylljen e kapitujve të integrimit evropian.
BDI mbetet e përkushtuar që:
• të modernizojë ekonominë në përputhje me standardet e BE-së,
• të rrisë transparencën dhe investimet kapitale,
• të avancojë transportin, energjinë dhe digjitalizimin,
• të ndërtojë politika sociale dhe arsimore që mbrojnë qytetarët dhe përgatisin vendin për tregun modern evropian.
Pa një ekonomi konkurruese dhe gjithëpërfshirëse, integrimi i vendit në Bashkimin Evropian mbetet i parealizueshëm. BDI do të vazhdojë të punojë me përgjegjësi, vizion dhe përkushtim për t’i rikthyer vendit dinamizmin e reformave dhe për ta afruar Maqedoninë e Veriut me standardet e BE-së.
BDI