• сабота, 18 јануари 2025

Zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu, e dorëzon vendimin për fillimin e programit të magjistraturës në ITSHKSH

Zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu, e dorëzon vendimin për fillimin e programit të magjistraturës në ITSHKSH

Shkup, 16 janar 2025 (MIA) - Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve - Shkup pati kënaqësinë ta mirëpresë sot zëvendësministrin e Arsimit dhe Shkencës, Dr. Lulzim Aliu, i cili gjatë vizitës së tij ia dorëzoi personalisht drejtorit të Institutit, Dr. Skender Asani, vendimin zyrtar për fillimin e punës së programit të studimeve të magjistraturës “Ngjarjet kulturore-historike të shqiptarëve në Maqedoni në shekullin XIX-XX”.

Siç njofton ITSHKSH, ky vendim shënon një moment të rëndësishëm për avancimin e studimeve akademike dhe shkencore mbi historinë dhe kulturën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Programi i ri do të ofrojë një platformë të gjerë për hulumtime dhe studime të mirëfillta mbi proceset historike dhe zhvillimet kulturore që kanë ndikuar në identitetin dhe rolin e shqiptarëve në këtë rajon.

Në fjalën e tij, zëvendësministri Aliu e theksoi rëndësinë e këtij programi për zhvillimin e dijes shkencore dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore e historike të shqiptarëve, duke shprehur mbështetjen e plotë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për këtë iniciativë. Ai e vlerësoi përkushtimin e Institutit në promovimin e vlerave kombëtare dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së brezave të rinj në studime shkencore të kësaj fushe.

Drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani, e falënderoi zëvendësministrin për mbështetjen dhe për këtë hap të madh drejt përmbushjes së një nevoje të kahershme në fushën e studimeve historike dhe kulturore. Ai siguroi që ky program do të shërbejë si një shtyllë e rëndësishme për t’i dokumentuar dhe avancuar njohuritë mbi rolin dhe kontributin e shqiptarëve gjatë dy shekujve të fundit.

Instituti mbetet i përkushtuar ndaj zhvillimit të mëtejshëm të këtij programi dhe ndaj angazhimit për të nxjerrë në pah historinë dhe kulturën e pasur të shqiptarëve në rajon. bsh/

Остани поврзан