• петок, 23 август 2024

Shtatë persona humbën jetën në zjarr në një hotel në periferi të Seulit

Shtatë persona humbën jetën në zjarr në një hotel në periferi të Seulit

Seul, 23 gusht 2024 (MIA) – Të paktën shtatë persona humbën jetën në zjarr që shpërtheu në një hotel në Korenë e Jugut gjatë natës, njoftuan mediat koreanojugore, transmetoi agjencia gjermane e lajmeve DPA.

Zjarri ka shpërthyer mbrëmë në qytetin Buçeon, paralagje në perëndim të kryeqytetit Seul, transmetoi agjencia koreanojugore e lajmeve Jonhap.

Të paktën 12 persona janë lënduar, prej të cilëve tre janë në gjendje serioze, bën të ditur Jonhap. Disa nga viktimat kishin ndërruar jetë pasi kishin kërcyer nga dritaret e ndërtesës.

Zjarri ka shpërthyer në katin e tetë të ndërtesës nëntë katëshe, ndërsa rreth 160 zjarrfikës ishin dërguar që ta shuajnë zjarrin. Vazhdojnë operacionet e shpëtimit në hotel, deklaroi një përfaqësues i policisë për Jonhap. fc/

Fotografia: EPA

Остани поврзан