• недела, 01 февруари 2026
MIA Flesh

18:00/ 28 janar/ 2026

Shkup– Para fillimit të sezonit të verës do ta zbatojmë sistemin One Stop Shop me Republikën e Shqipërisë, ekipe nga të dyja shtetet punojnë në realizimin e tij, theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski në konferencën e sotme të përbashkët për media me ministren shqiptare të Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në vend.  Ministri informoi edhe për avancimin e dakorduar të Qendrës për Bashkëpunim ndërkufitar në kufirin Maqedoni e Veriut – Shqipëri, me rritjen e kapaciteteve dhe kompetencave, që do të mundësojë koordinim më efikas dhe më të shpejtë mes shërbimeve të të dyja vendeve. 

Shkup -  Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, dhe drejtori i Institutit ZIP, Agim Selami, nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me qëllim avancimin e tranzicionit energjetik dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e energjetikës dhe mjedisit, si dhe patronazhin e Forumit të Energjisë “MEF 2026”. Qëllimi i bashkëpunimit është promovimi i një tranzicioni energjetik të drejtë, nxitja e përdorimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe forcimi i rolit të Republikës së Maqedonisë së Veriut si faktor rajonal në këto procese.

Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot realizoi takim me Xhiang Shjaojan, ambasadore e Republikës Popullore të Kinës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Shërbimi për informim i Kuvendit njoftoi se Gashi shprehu kënaqësi të madhe për takimin dhe theksoi se "pret që miqësia e sinqertë që ekziston midis të dy vendeve të forcohet dhe të avancohet më tej në të ardhmen". "Ai theksoi se megjithëse të dy vendet janë gjeografikisht të largëta, marrëdhëniet midis tyre po zhvillohen në frymën e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë. Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdimisht e afirmon qëndrimin e ekzistimit të 'një Kinë', si dhe qëndrimin se Qeveria e Republikës Popullore të Kinës është Qeveria e vetme legjitime e popullit kinez, dheTajvani është një pjesë e pandashme e territorit kinez", theksohet në kumtesë.

Shkup - Zëvendëskryeministri i parë në Qeveri, Bekim Sali, realizoi takim me ministren e Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Albana Koçiu Siç bëri të ditur Ministria e Çështjeve Evropiane (MÇE), gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve,mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zhvillimin e investimeve ekonomike, si dhe projektin „One Stop Shop“. "Pritet që në një periudhë të afërt të nisin përgatitjet për implementim, ndërsa vetë implementimi i sistemit pritet të fillojë në sezonën verore", bën të ditur MÇE në kumtesë. 

Shkup- Këshilli gjyqësor në seancën e sotme e miratoi raportin e grupit punues mbi mbikëqyrjen e kryer të Gjykatës Themelore të Gostivarit për veprimin për rastin për të dënuarin Remzi Miftari nga Gostivari, i cili ka disa vonesa të paligjshme të ekzekutimit të dënimit të tij me dhjetë vjet burg për rastin "Durmo Tours". Këshilli gjyqësor, me nëntë vota "për" dhe dy kundër të anëtarëve Isamedin Limani dhe Hanif Zendeli, e miratoi raportin në të cilin Komisioni arriti në përfundimin se gjyqtari për ekzekutimin e sanksioneve dhe anëtarët e Këshillit penal kanë bërë lëshime në rastin dhe propozon që të parashtrohet kërkesë për përcaktimin e përgjegjësisë për këta gjyqtarë.

Shkup – Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, sot në profilet e tij zyrtare në rrjetet sociale publikoi një video që të tregojë se Kalaja e Shkupit është e rregulluar dhe pastruar në tërësi, dhe, siç theksoi, lokaliteti tani është i denjë për qytetarët dhe vizitorët në kryeqytet.  Gjorgjievski në publikim thekson se kujdesi për hapësirat publike dhe trashëgiminë kulturore mbetet një nga prioritetet e administratës së qytetit.  Kryetari theksoi se Kalaja e Shkupit, si një nga simbolet më të njohura të Shkupit, meriton mirëmbajtje, rregullim dhe mbrojtje të vazhdueshme. Qëllimi, siç theksoi, është ruajtja e vlerës së saj historike dhe sigurimi i mjedisit të sigurt dhe të këndshëm për të gjithë vizitorët. 

Paris – Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nilsen, deklaroi sot se ekzistojnë “linja të kuqe” që nuk duhet të kalohen në bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por njëkohësisht pranoi se është e nevojshme të bëhet më shumë për forcimin e sigurisë në rajon për shkak të sjelljes gjithnjë e më agresive të Rusisë. Nilsen dhe kryeministrja daneze, Mete Frederiksen, qëndruan në Paris për një takim me presidentin francez Emanuel Makron, me qëllim të forcojnë mbështetjen pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Tramp, i cili shprehu dëshirën për të marrë kontrollin mbi këtë ishull arktik, që për shekuj është territor danez. Pritet të zhvillohen bisedime midis Grenlandës, Danimarkës dhe SHBA-së për tejkalimin e krizës, por Nilsen theksoi se Grenlanda ka kufij të caktuar që nuk mund të tejkalohen, megjithëse shprehu shpresën se do të arrihet një marrëveshje. Ai nuk dha detaje të tjera.

Pekin – Kryeministri i Britanisë së Madhe, Kir Starmer sot, në fillim të vizitës katërditore në Kinë, deklaroi se Londra nuk duhet të zgjedhë mes SHBA-së dhe Kinës.  “Unë jam pragmatist, pragmatist britanik i cili zbaton arsye të shëndoshë”, tha Starmeri.  Starmeri është kryeministri i parë i Britanisë së Madhe i cili e vizitoi Pekinin nga viti 2018.  Marrëdhëniet mes Pekinit dhe Londrës në ndërkohë u përkeqësuan për shkak të shqetësimit të rritur rreth spiunazhit kinez, mbështetjes së Pekinit për Rusinë në luftën në Ukrainë dhe çrrënjosjen e lirive të njeriut në Hong Kong, ish koloni britanike. 

Napoli - Çellsi u ka bërë thirrje tifozëve të tij, të cilët kanë udhëtuar në Napoli për ndeshjen e djeshme të Ligës së kampionëve të jenë posaçërisht të kujdesshëm pasi dy tifozë të klubit londinez janë dërguar në spital. "Klubi është i njoftuar me incidentin që ka ndodhur në Napoli mbrëmë. Dy tifozë janë dërguar në spital pasi pësuan lëndime, pa rrezik për jetën. U bëjmë thirrje të gjithë tifozëve të jenë të kujdesshëm derisa janë në Napoli dhe t'i ndjekin këshillat paraprakisht të lëshuara nga klubi", kumtoi Çellsi. Rreth 2.500 tifozë të Çellsit kanë bileta për ndeshjen kundër Napolit, e cila luhet sonte në ora 21 në stadiumin "Diego Armando Maradona".

Остани поврзан