• петок, 21 март 2025

Koçani, Besa Trans, Spitali i Tetovës, Llaskarca – Izet Mexhiti premton drejtësi për të gjitha tragjeditë

Koçani, Besa Trans, Spitali i Tetovës, Llaskarca – Izet Mexhiti premton drejtësi për të gjitha tragjeditë

Shkup, 20 mars 2025

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka premtuar se do të ketë drejtësi jo vetëm për tragjedinë e zjarrit në Koçan, ku humbën jetën 59 persona dhe u lënduan mbi 100 të tjerë, por edhe për rastet tjera të rënda që kanë tronditur vendin, si aksidenti i “Besa trans”, djegia e spitalit modular në Tetovë dhe aksidenti tragjik në Llaskarcë. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut ka përjetuar tragjedi të shumta me pasoja të rënda, por drejtësia ka munguar, dhe shteti nuk do të qëndrojë më duarkryq.

“Teksa lutemi për të mbijetuarit dhe përgatitemi për t’ua dhënë lamtumirën atyre që u shuan tragjikisht më 16 mars, si Qeveri zotohemi se leksioni i hidhur i Koçanit është mësuar, se mesazhi është pranuar: shteti nuk do të qëndrojë më duarkryq dhe nuk do të lejojë që drejtësia të humbet e të devalvohet nëpër hilet institucionale të ndërtuara për të mbrojtur të paprekshmit!”, ka shkruar Mexhiti.

Ai vuri në dukje se qeveria do të punojë për të garantuar që drejtësia të mos mbetet vetëm një koncept i kapur nga mafia dhe korrupsioni endemik.

“Lufta jonë për një Maqedoni më të mirë do të ketë kuptim vetëm atëherë kur ata ndaj të cilëve sistemi ka qenë i padrejtë do të ndjejnë se drejtësia, megjithatë, nuk është nocion i kapur nga mafia që kontrollon shtetin, siç për fat të keq ka qenë rasti për vite me radhë në të shkuarën, dhe se thirrjet e tyre për drejtësi do të hasin në përgjigje dhe reagim.”

Sipas Mexhitit, tragjedia e Koçanit duhet të shërbejë si përkujtues për institucionet që të mos lejojnë përsëritjen e tragjedive të ngjashme.

“Koçani është ndërgjegja jonë që thërret për veprim. Koçani është dhimbja jonë që kërkon reagim. Koçani është katarsisi i sistemit të qelbur e korrupsionit endemik që ka lëshuar rrënjët thellë nëpër institucione dhe po rrënon jetët e njerëzve.”

Ai siguroi qytetarët se shteti do të veprojë dhe do të ketë përgjegjësi për të gjitha rastet ku jeta e qytetarëve është rrezikuar nga neglizhenca dhe korrupsioni.

“Por shteti do të veprojë! Përgjegjësi do të ketë! Drejtësi do të ketë: për Koçanin, për ‘Besa transin’, për Spitalin e Tetovës, për Llaskarcën, për të gjitha tragjeditë të cilat kanë për shkak korrupsionin dhe pandëshkueshmërën, dhe për pasojë kanë jetët e njerëzve!”

Lëvizja Demokratike

____________________________________________________________________________________ 

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

 

Тагови

Остани поврзан