• вторник, 24 март 2026

Gerapetritis pas takimit me Vadeful: Ramë dakord që zgjerimi i BE-së duhet të mbetet prioriteti ynë strategjik

Gerapetritis pas takimit me Vadeful: Ramë dakord që zgjerimi i BE-së duhet të mbetet prioriteti ynë strategjik

Athinë, 17 mars 2026 (MIA) - U pajtuam që zgjerimi i BE-së duhet të mbetet prioriteti ynë strategjik. Në 23 vjetorin e Agjendës së Selanikut dhe me synimin për presidencën greke të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2027, besojmë se duhet t'i jepet një dinamikë e re, si dhe një vizion për popujt e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që të hapet rruga drejt Evropës. Së bashku me Gjermaninë, do të punojmë për aktivizimin e mëtejshëm të kësaj force, tha ministri i jashtëm grek, Jorgos Gerapetritis, pas një takimi në Berlin me homologun e tij gjerman, Johan Vadeful, raportoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë shpjegoi se Qeveria greke ka vendosur të ndërmarrë iniciativa konkrete për zgjerimin e Unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat, siç tha ai, kanë pritur prej 23 vitesh.

"Shpresa jonë është që gjatë Presidencës greke të Këshillit Evropian të kemi mundësinë të shënojmë zgjerimin e parë të madh nga Ballkani Perëndimor. I kemi diskutuar këto çështje gjerësisht me mikun dhe kolegun tim të dashur Johan dhe ndajmë plotësisht të njëjtin mendim. Është e rëndësishme që të ketë një sinjal të konsiderueshëm që do t'u japë një vizion vendeve të Ballkanit Perëndimor, pas më shumë se dy dekadash pritjeje. Sigurisht, pa asnjë devijim nga kriteret e përcaktuara për anëtarësim në Bashkimin Evropian", tha Gerapetritis.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin gjerman, duke iu referuar Lindjes së Mesme, ministri i jashtëm grek theksoi se "siguria e Bashkimit Evropian është e lidhur pa ndarë me situatën në Lindjen e Mesme" dhe përsëriti edhe një herë se "Greqia nuk ka ndërmend të përfshihet në luftën që po zhvillohet aktualisht".

Kur u pyet nga një gazetar për situatën në Ngushticën e Hormuzit, ai tha se çështja specifike "është jashtëzakonisht e ndjeshme", se pothuajse një e katërta e naftës dhe produkteve të naftës transportohen përmes saj, dhe për këtë arsye, "nuk është e mundur që të ketë ndonjë kërcënim në lidhje me lëvizjen e anijeve që transportojnë këto produkte".

Ai shpjegoi se ata kanë ndërmarrë iniciativa në Këshillin e Sigurimit të KB-së për lirinë e lundrimit dhe se "në bashkëpunim me të gjithë aktorët aktivë në rajon, me vendet e Gjirit dhe sigurisht me Iranin, duhet të sigurohet që kjo liri të mbetet plotësisht e paprekur nga çdo aktivitet agresiv apo konflikt i armatosur".

"Ne nuk besojmë se është optimale të kemi raste të izoluara të marrëveshjeve për anijet që të hyjnë ose të dalin nga Ngushtica e Hormuzit. Ajo që duam është një zgjidhje e përhershme, e përgjithshme dhe e vazhdueshme që do të sigurojë paqen. Dhe kjo mund të arrihet vetëm brenda kornizës së një aleance më të gjerë, nën kujdesin e organizatave ndërkombëtare, dhe në veçanti të Kombeve të Bashkuara", shpjegoi Gerapetritis. sa/

Foto: Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë

Остани поврзан