Filipçe për Fitër Bajram: Bashkësia dhe solidariteti janë forca jonë për të përballuar sfidat
- Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Venko Filipçe, u ka dërguar urim qytetarëve të besimit islam me rastin e festës së madhe fetare të Fitër Bajramit.

Shkup, 30 mars 2025 (MIA) - Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Venko Filipçe, u ka dërguar urim qytetarëve të besimit islam me rastin e festës së madhe fetare të Fitër Bajramit.
Në urimin e tij, kryetari i LSDM-së thekson se kjo festë e shenjtë na kujton vlerat themelore të respektit të ndërsjellë, solidaritetit dhe humanizmit, të cilat janë themeli mbi të cilin bashkërisht duhet të ndërtojmë të ardhmen tonë.
"I uroj të gjithë besimtarët islam për festën e madhe të Fitër Bajramit, me urime të sinqerta për shëndet, gëzim dhe mirëqenie. Kjo festë e shenjtë na kujton vlerat themelore të respektit të ndërsjellë, solidaritetit dhe humanizmit. Në frymën e këtyre vlerave, së bashku mund t'i tejkalojmë të gjitha sfidat dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për vendin tonë dhe qytetarët e tij", thotë Filipçe në urim.
Maqedonia e Veriut, shton ai, është shembull i bashkimit, të jetuarit së bashku dhe respektimit të diversitetit, dhe pikërisht kjo e bën atë më të fortë dhe më të pasur.
"Prandaj, kjo festë le të na kujtojë se me respekt, ndihmë dhe mbështetje reciproke mund të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë për të gjithë. Këto ditë festive le t'ju sjellin shëndet, paqe, lumturi dhe përmbushje shpirtërore. Urime Fitër Bajramin për shumë vite", thotë kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe. sa/
Foto: LSDM