Fetai takohet me senatoren belge Teitelbaum
- Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut për Politika të Qeverisjes së Mirë, Arben Fetai, sot në Sarajevë u takua me senatoren belge Vivian Teitelbaum, anëtare e Komitetit Këshillues Federal për Çështje Evropiane.

Shkup, 2 prill 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut për Politika të Qeverisjes së Mirë, Arben Fetai, sot në Sarajevë u takua me senatoren belge Vivian Teitelbaum, anëtare e Komitetit Këshillues Federal për Çështje Evropiane.
Nga Kabineti i Fetait njoftuan se ai dhe Teitelbaum biseduan mbi perspektivat evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe nevojën për përshpejtimin e këtij procesi.
Fetai e informoi senatoren Teitelbaum për reformat që Maqedonia e Veriut po zbaton në kuadër të Agjendës së reformave, si pjesë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, me fokus të veçantë në forcimin e shtetit të së drejtës dhe reformën e administratës publike.
“Belgjika mbetet një mbështetëse e fortë e zgjerimit të BE-së dhe e përpjekjeve tona për integrim në familjen evropiane”, theksoi Fetai gjatë takimit.
Në emër të Qeverisë, ai shprehu mirënjohje të thellë për senatoren Teitelbaum për solidaritetin që Belgjika tregoi pas tragjedisë në Koçan, duke pranuar për trajtim në spitalet belge katër pacientë të lënduar.
“Ky akt humanizmi dhe mbështetjeje është dëshmi e lidhjeve të forta mes dy vendeve tona”, vlerësoi Fetai. qa/
Foto: kabineti i Arben Fetait