Dr. Xhikovski për MIA: Nuk ekziston nivel i sigurt i pirjes së duhanit, në Torakale çdo vit ka 600 deri në 700 pacientë me kancer të mushkërive, shumë prej tyre në fazë të avancuar
- Pirja e duhanit shkakton dëmtime kronike të mushkërive dhe enëve të gjakut, duke çuar në shfaqje të kancerit, sëmundje kronike obstruktive, pneumotoraksit spontan, aterosklerozës, aneurizmave dhe stenozës karotide, të cilat shpesh përfundojnë me nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Në Klinikën për kirurgji torakale dhe vaskulare numri i pacientëve është në rritje të vazhdueshme; vitin e kaluar janë trajtuar më shumë se 3100 pacientë, prej të cilëve rreth 150 – kryesisht duhanpirës – me ndërhyrje kirurgjikale torakale, ku dominon kanceri i mushkërive. Çdo vit diagnostifikohen 600 deri në 700 pacientë të rinj, kryesisht duhanpirës, me kancer të mushkërive, ndërsa shumica janë në fazë të avancuar të sëmundjes dhe dërgohen në Klinikën për radioterapi dhe onkologji për trajtim të mëtejshëm, thotë në intervistë për MIA, drejtori i Klinikës për kirurgji torakale dhe vaskulare, dr. Igorçe Xhikovski.
Shkup, 14 prill 2026 (MIA)
Renata PEPELJUGOSKA
Pirja e duhanit shkakton dëmtime kronike të mushkërive dhe enëve të gjakut, duke çuar në shfaqje të kancerit, sëmundje kronike obstruktive, pneumotoraksit spontan, aterosklerozës, aneurizmave dhe stenozës karotide, të cilat shpesh përfundojnë me nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Në Klinikën për kirurgji torakale dhe vaskulare numri i pacientëve është në rritje të vazhdueshme; vitin e kaluar janë trajtuar më shumë se 3100 pacientë, prej të cilëve rreth 150 – kryesisht duhanpirës – me ndërhyrje kirurgjikale torakale, ku dominon kanceri i mushkërive. Çdo vit diagnostifikohen 600 deri në 700 pacientë të rinj, kryesisht duhanpirës, me kancer të mushkërive, ndërsa shumica janë në fazë të avancuar të sëmundjes dhe dërgohen në Klinikën për radioterapi dhe onkologji për trajtim të mëtejshëm, thotë në intervistë për MIA, drejtori i Klinikës për kirurgji torakale dhe vaskulare, dr. Igorçe Xhikovski.
Ai këshillon ndërprerjen e plotë të pirjes së duhanit, sa më shpejt që të jetë e mundur, për të shmangur rrezikun nga paraqitja e sëmundjeve.
– Për ne është me rëndësi t jetike vendosja e një programi kombëtar skriningu për zbulimin e hershëm të kancerit të mushkërive. Zbulimi i hershëm do të mundësonte rritje të ndjeshme të numrit të pacientëve të diagnostifikuar në fazë të operueshme, çka do të kontribuonte drejtpërdrejt në rezultate më të mira kirurgjikale, ulje të vdekshmërisë dhe përmirësim të cilësisë së jetës së pacientëve – thekson dr. Xhikovski.
Pas një periudhe më të gjatë kohore, kur tashmë ekzistojnë ndryshime strukturore në enët e gjakut, si ateroskleroza, kalcifikimet apo zgjerimet aneurizmatike, dëmtimet bëhen të përhershme dhe mund të kontrollohet vetëm progresioni i tyre.
– Prandaj faktori më i rëndësishëm është ndërprerja e duhanit sa më herët që të jetë e mundur. Edhe me një numër të vogël cigaresh në ditë, një deri në pesë sosh, ekziston pothuajse dyfish rrezik më i lartë për sëmundje kardiovaskulare, si sëmundja artero – koronare të themi. Ekspozimi ndaj duhanit pasiv gjithashtu rrit rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe
respiratore, veçanërisht te fëmijët dhe pacientët me sëmundje shoqëruese, gjgj. me tashmë faktor ekzistues rreziku – thotë ai.
Sipas tij, hapi më i rëndësishëm për mbrojtjen e enëve të gjakut është ndërprerja e plotë e pirjes së duhanit. Ai thekson rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore, kontrollit të faktorëve të rrezikut (diabeti, tensioni i lartë, lipidet në gjak), ushqimit të shëndetshëm dhe aktivitetit fizik.
– Efektet pozitive tek shëndeti i enëve të gjakut pas ndërprerjes së pirjes së duhanit janë me të vërtetë të rëndësishme dhe shpejtësisht të detektueshme. Pas rreth pesëmbëdhjetë vitesh, rreziku për sëmundje serioze kardiovaskulare bëhet i ngjashëm me atë të personave që nuk pinë duhan – shton ai

Në Klinikën për kirurgji torakale dhe vaskulare kryhen ndërhyrje për sëmundje të kraharorit dhe enëve të gjakut, përfshirë këtu edhe ndërhyrje komplekse kardiovaskulare. Cilat janë diagnozat më të shpeshta tek duhanpirësit, që kanë nevojë për trajtim kirurgjikal?
Te duhanpirësit më së shpeshti paraqiten: – kanceri i mushkërive (diagnoza më e shpeshtë dhe më serioze), – sëmundja kronike obstruktive e mushkërive me komplikime si emfizema bulloze, – pneumotoraksi spontan, – sëmundja arteriale periferike (ateroskleroza), – aneurizmat (sidomos të aortës), – stenoza karotide me rrezik për goditje në tru.
Pirja e përditshme e duhanit shkakton ndryshime kronike në mushkëri dhe në enë të gjakut, të cilat shpesh kërkojnë trajtim kirurgjikal.
Është me rëndësi të ceket se Numri i pacientëve është në rritje të vazhdueshme. Gjatë vitit të kaluar mbi 3100 pacientë janë trajtuar, ndërsa rreth 150 kanë pasur ndërhyrje kirurgjikale torakale, kryesisht për kancer të mushkërive.
Programi kombëtar i skriningut për zbulimin e hershëm mbetet prioritet, pasi do të reduktonte kostot e trajtimit të fazave të avancuara dhe do të optimizonte burimet shëndetësore.

Si ndikon nikotina në enët e gjakut, gjgj. në pjesën torakale si dhe në çfarë dëmtimesh dhe komplikimesh mund të sjellë
Nikotinа shkakton më shumë efekte dëmtuese, siç janë: – vazokonstriksioni (ngushtim i enëve) – që sjell deri te rrjedhshmëria e zvogëluar e gjakut Brenda enëve të gjakut, – dëmtim të endotelit (mbështjella e brendshme e enëve të gjakut), – aterosklerozë, – rritje të koagulimit dhe me këtë rrezik për trombozë.
Në zonën torakale (aorta dhe enët e mëdha), këto ndryshime rrisin rrezikun për aneurizma, diseksion ose rupturë të aortës.

Cilat simptome paralajmërojnë bllokimin e enëve të gjakut?
Simptomat varen nga lloji i enëve që zaptohen, por më së shpeshti ato janë: – dhimbje gjatë ecjes (klaudikacion), veçanërisht te këmbët – gjymtyrë të ftohta, – lëkurë e zbehtë ose e mavijosur, – puls i dobët ose i munguar periferik, – plagë që nuk shërohen, – dhimbje e papritur (trombozë akute ose trombemboli).
Shumë pacientë paraqiten vonë, kur operacioni është e vetmja zgjidhje, shpesh si pasojë e duhanpirjes afatgjate të kombinuar me hipertension, obezitet dhe diabet.
A janë këto dëmtime të përhershme?
Në varësi të kohëzgjatjes dhe shkallës së ekspozimit, dëmtimet e enëve të gjakut të shkaktuara nga pirja e duhanit mund të jenë si të kthyeshme ashtu edhe të përhershme. Në fazat e hershme, kur ekziston vetëm dëmtim funksional, ndryshimet mund të përmirësohen ose madje të tërhiqen pas ndërprerjes së duhanit, sepse endoteli vaskular ka një kapacitet të caktuar për rigjenerim. Megjithatë, pas një periudhe më të gjatë, kur tashmë ekzistojnë ndryshime strukturore të enëve të gjakut, siç janë ateroskleroza, kalcifikimet ose zgjerimet aneurizmatike, dëmtimet janë të përhershme dhe mund të kontrollohet vetëm progresioni i tyre. Prandaj, faktori më i rëndësishëm është ndërprerja e duhanit sa më herët që të jetë e mundur.

A ekziston një nivel “i sigurt” i pirjes së duhanit kur bëhet fjalë për shëndetin torakovaskular?
Jo, nuk ekziston një nivel i sigurt i pirjes së duhanit. Rreziku është kumulativ dhe varet nga doza; sigurisht që rritet me sasinë, por nuk mungon as në ekspozime minimale. Edhe me një numër të vogël cigareve në ditë, pra një deri në pesë, ekziston pothuajse dyfishim i rrezikut për sëmundje kardiovaskulare, siç është sëmundja koronare e arterieve. Për më tepër, ekspozimi ndaj duhanpirjes pasive gjithashtu sjell rrezik të shtuar për sëmundje kardiovaskulare dhe respiratore, veçanërisht te fëmijët dhe pacientët me komorbiditete, pra me faktorë rreziku tashmë ekzistues.
Çfarë do t’u këshillonit personave që pinë duhan dhe cili është hapi i parë që duhet të ndërmarrin për të parandaluar progresionin e dëmtimeve të enëve të gjakut?
Hapi më i rëndësishëm për mbrojtjen e enëve të gjakut është ndërprerja e plotë e duhanit, siç e përmenda më parë, dhe këtë ua këshilloj të gjithëve. Do të theksoja gjithashtu kontrollet e rregullta mjekësore, kontrollin e faktorëve të rrezikut (si diabeti, tensioni i lartë i gjakut apo lipidet në gjak), ushqimin e shëndetshëm dhe të balancuar, si dhe aktivitetin e rregullt fizik. Veprimi i hershëm mundëson parandalimin e sëmundjes ose uljen e progresionit të saj dhe është kyç në shmangien e komplikimeve serioze dhe nevojës për trajtim kirurgjik.

A mundëson ndërprerja e menjëhershme e duhanit rikuperim gradual të enëve të gjakut?
Efektet pozitive mbi shëndetin e enëve të gjakut pas ndërprerjes sëduhanit janë vërtet të rëndësishme dhe të dukshme shpejt. Që në minutat e para deri në orët e para, ulen pulsi dhe tensioni i gjakut, përmirësohet qarkullimi periferik dhe normalizohet niveli i monoksidit të karbonit në gjak, gjë që mundëson shpërndarje më të mirë të oksigjenit.
Në javët e para pas ndërprerjes së duhanit, përmirësohet funksioni endotelial, ulet niveli i inflamacionit dhe rrjedhimisht edhe rreziku për trombozë.
Në afat të mesëm, pra brenda disa muajve, ulet ndjeshëm rreziku për sëmundje kardiovaskulare, megjithëse ndryshimet strukturore që tashmë kanë ndodhur si pasojë e duhanit nuk mund të zhduken. Ajo që mund të arrihet është stabilizimi i tyre dhe ulja e ndjeshme e rrezikut për progresion dhe komplikime.
Konsiderohet se në afat të gjatë, rreth pesëmbëdhjetë vjet pas ndërprerjes së duhanit, rreziku për sëmundje serioze kardiovaskulare bëhet i ngjashëm me atë të personave që nuk pinë duhan.
Foto: Darko Popov