Trampi kumtoi se është arritur "përparim i madh" në negociatat tregtare me Japoninë
- Presidenti i SHBA-së Donald Tramp bëri të ditur se është arritur "përparim i madh" në negociatat tregtare me Japoninë, transmetuan agjencitë botërore, duke theksuar se shefi i shtetit mbrëmë bëri lëvizje befasuese duke u bashkuar personalisht në bisedimet me delegacionin japonez në Uashington për çështjen e doganave shtesë për mallrat japoneze për SHBA-në.
- Post By Fami Bajrami
- 08:13, 17 prill, 2025

Uashington, 17 prill 2025 (MIA) - Presidenti i SHBA-së Donald Tramp bëri të ditur se është arritur "përparim i madh" në negociatat tregtare me Japoninë, transmetuan agjencitë botërore, duke theksuar se shefi i shtetit mbrëmë bëri lëvizje befasuese duke u bashkuar personalisht në bisedimet me delegacionin japonez në Uashington për çështjen e doganave shtesë për mallrat japoneze për SHBA-në.
"Nder i madh për mua - sapo u takova me delegacionin japonez për tregtinë. Përparim i madh!" shkroi Trampi në një publikim në rrjetin e tij social "Trut soushll" ("Truth Social"), pa dhënë detaje rreth negociatave.
Tokio dërgoi delegacion në Uashington të udhëhequr nga ministri i Ekonomisë dhe politikës fiskale, Riosei Akazava.
Para se të udhëtonte për SHBA, ai deklaroi se vendi i tij do të kërkonte heqjen e plotë të doganave shtesë për mallrat e tij kur importoheshin në SHBA.
"Japonia vjen sot të negociojë për doganat, mbështetjen ushtarake dhe "tregtinë e drejtë", publikoi më herët Trampi në rrjetin e tij. rq/
Foto: arkivi i MIA-s