• e diel, 09 mars 2025

Toshkovski për vizitë në kompaninë izraelite Elbit Systems, takim edhe me njeriun e parë të policisë izraelite, Rafael Engel

Toshkovski për vizitë në kompaninë izraelite Elbit Systems, takim edhe me njeriun e parë të policisë izraelite, Rafael Engel

Shkup, 7 mars 2025 (MIA) – Me ftesë të kompanisë izraelite Elbit Systems, e cila është partnere e jona shumëvjeçare në avancimin e sistemeve teknike dhe kapaciteteve të sigurisë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, veçanërisht në kuadër të projektit “Qyteti i sigurt”, këto ditë po qëndroj në Izrael, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski në profilin e tij në Fejsbuk.

Kjo vizitë, shkroi ai, përfaqëson mundësi të rëndësishme për shkëmbim të përvojave dhe njoftim me zgjidhjet më të reja teknologjike të cilat i zhvillon Elbit për përballje me sfidat moderne të sigurisë. Fokus i veçantë ishte vendosur në inovacionet në mbrojtjen e kufijve, sigurinë urbane dhe luftën kundër terrorizmit, si dhe mundësitë për integrim të teknologjive të avancuara në sistemin e sigurisë së vendit tonë.

“Gjithashtu, e vizitova Qendrën e Kontrollit të Policisë në Tel Aviv, ku u njoftova me funksionimin e sistemit të tyre të integruar të sigurisë. Qendra shfrytëzon mjete të avancuara dhe procese të automatizuara për reagim të shpejtë në incidente të sigurisë, që është shembull i shkëlqyer për menaxhim efikas me sigurinë publike dhe parandalim të krimit”, shkroi Toshkovski.

Në kuadër të vizitës, ministri Toshkovski ka realizuar takim edhe me njeriun e parë të policisë izraelite, Rafael Engel, drejtor i përgjithshëm në Ministrinë izraelite të Sigurisë Kombëtare, me të cilin ka biseduar për fuqizimin e bashkëpunimit në sferën e sigurisë dhe shkëmbimit të praktikave të mira në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Toshkovski ka shprehur ngushëllime të sinqerta për viktimat nga sulmi terrorist më 7 tetor të vitit 2023, si dhe mbështetje në të gjitha përpjekjet për kthimin e pengjeve të cilët ende nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre.

“Në takim u theksua se Maqedonia dhe Izraeli janë dy vende mike me përkushtim të përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin, të cilat përmes shkëmbimit të njohurive, përvojave dhe zgjidhjeve teknologjike mund të avancojnë më tej kapacitetet e tyre të sigurisë. Ballafaqimi me kërcënimet terroriste dhe forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar ishin ndër temat kryesore të diskutimit, me theks në nevojën e strategjive parandaluese dhe zgjidhjeve moderne teknologjike që sigurojnë reagim të shpejtë dhe efikas në mbrojtjen e qytetarëve, njoftoi Ministri i Punëve të Brendshme në Fejsbuk, duke shtuar se kjo vizitë paraqet një hap tjetër drejt forcimit të partneritetit ndërmjet Maqedonisë dhe Izraelit në fushën e sigurisë, si dhe në forcimin e strukturës moderne të bashkëpunimit me liderët botërorë në këtë sferë. fc/

Fotografia: Fejsbuku i ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski

 

QËNDRONI TË LIDHUR