Mexhiti: Vleni në ditët në vijim do të dalë me qëndrim për nismën - një njësi zgjedhore
- Vleni do të dalë me qëndrim të unifikuar për nismën për një njësi zgjedhore sot ose nesër, tha zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
- Post By Sara Ademi
- 13:14, 5 qershor, 2025
Shkup, 5 qershor 2025 (MIA) - Vleni do të dalë me qëndrim të unifikuar për nismën për një njësi zgjedhore sot ose nesër, tha zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
Siç theksoi Mexhiti, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske, dje është diskutuar dhe do të bëhet një propozim konkret.
"Kemi folur dje, sot-nesër dhe Vleni do të dalë me një propozim konkret. Duke marrë parasysh se në Vlen janë katër-pesë subjekte politike, në të kaluarën ka pasur mendime të ndryshme, por gjithsesi këto ditë do të kemi qëndrim të unifikuar", tha Mexhiti pas fillimit të konferencës për mjedisin jetësor.
Sa i përket shumicës, ai përsëriti se është stabile, por po punohet për ta rritur. I pyetur nëse mund të jetë duke biseduar me Thaçin përveç Frontit Evropian, ai është përgjigjur se askush nuk është i përjashtuar.
"Së pari, shumica është e qëndrueshme, e përkushtuar ndaj programit, projekteve dhe zgjidhjes së problemeve të qytetarëve. Së dyti, ka njoftime dhe shumica është në rritje, ne po punojmë për këtë. Do të jeni të informuar, por në parim jemi duke diskutuar me deputetët e Frontit Evropian", ka bërë të ditur Mexhiti.
Ai po ashtu informoi se shumica tashmë ka dorëzuar një projektligj sipas të cilit Inspektorati i Gjuhëve, sikurse edhe inspektoratet tjera, duhet të jetë pjesë e një ministrie. Mexhiti i bëri thirrje BDI-së dhe opozitës që ta votojnë këtë ligj, sepse është më e natyrshme, tha ai, që Inspektorati i Gjuhëve të jetë pjesë e Agjencisë së Gjuhëve.
"I bëj thirrje BDI-së dhe opozitës që ta votojnë këtë ligj, ta zgjidhim problemin me të punësuarit, të marrin paga dhe në fazën tjetër do të punojmë që Agjencia e Gjuhëve të kalojë në të njëjtin nivel si dhe me Agjencinë e Ushqimit që më pas të marrë Inspektoratin e Gjuhëve, të jetë pjesë e Agjencisë sepse edhe kur është miratuar është miratuar me një leks specialis, kështu që është shumë më e natyrshme ai Inspektorat të jetë pjesë e Agjencisë së Gjuhëve se sa pjesë e Ministrisë së Drejtësisë. Është koha, ashtu siç BDI i la përgjysmë të gjitha gjërat e tjera edhe ky Inspektorat të mund të shqiptojë penalitete përkatëse, ndërsa jo kur të konstatojnë lëshime të hapin procedura nëpër gjykata", nënvizoi zëvendëskryeministri i parë dhe ministër.
Mexhiti edhe në këtë rast, i pyetur për kryetaren e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska, përsëriti se ajo është instrument i BDI-së dhe Blerim Bexhetit. sa/
foto: MIA