• e mërkurë, 26 qershor 2024

Taravari: BDI-ja duhet të jetë opozitë konstruktive sikurse ne, kemi legjitimitetin e plotë për formimin e Qeverisë së ardhshme

Taravari: BDI-ja duhet të jetë opozitë konstruktive sikurse ne, kemi legjitimitetin e plotë për formimin e Qeverisë së ardhshme

Shkup, 14 maj 2024 (MIA) - Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Arben Taravari në intervistën e tij për "Click Plus" tha se në këto zgjedhje, VLEN-i arriti të fitojë 107.000 vota të pastra shqiptare dhe se kanë legjitimitet të plotë për formimin e Qeverisë.

"Ne i kemi mbledhur 107.000 vota shqiptare, të pastra, pa kërcënime sepse s'kemi mënyrë për t'i kërcënuar, pa blerje, pa shantazhe dhe pa përdor institucionet shtetërore. Kështu që me 107.000 vota shqiptare, na jep legjitimitetin e plotë për të qenë përfaqësues i shqiptarëve në Qeverinë e ardhshme", tha Taravari, duke theksuar se pala tjetër ka rreth 35.000 vota nga etnitë tjera në Maqedoni.

Taravari po ashtu theksoi formimi i Qeverisë pritet të jetë në fillim të qershorit dhe se është arritur një marrëveshje për qeverisje të ardhshme.

"Qeveria është në përfundim, vetëm se kemi një marrëveshje për qeverisje të ardhshme. Do të ulemi të hartojmë përputhshmërinë e programeve. Ne ende nuk kemi biseduar për resorë, do të bisedojmë më vonë. Më e rëndësishme se postet dhe funksionet janë projektet madhështore që duhet të bëhen për shqiptarët. Do të elaborojmë edhe çështjen ekonomike. Në pjesën e ekonomisë kemi projektin e decentralizimit, sidomos atë fiskal edhe të kompetencave. Investimet në zonat ekonomike do të jenë kyçe, në veçanti në energjinë solare të cilat nuk do të na bëjnë të varur nga vendet tjera. Gjithashtu do të bëjmë investime edhe në biznese rinore", theksoi Taravari.

Ai rikujtoi se partia e tij në opozitë ka mbështetur Marrëveshjen e Prespës dhe të njëjtën, e pret që nga opozita të japë mbështesë te ndryshimet kushtetuese dhe fillimin e negociatave me BE-në.

"Ata duhet ta ndjekin shembullin tonë, të jenë opozitë konstruktive. Aty ku do të duhet përkrahje, sidomos për ndryshimet kushtetuese dhe për fillimin e negociatave, duhet të jenë ashtu siç kanë deklaruar vazhdimisht", u shpreh Taravari. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR