Sondazh: Vetëm 25 për qind e ukrainasve mendojnë se Zelenski duhet të qëndrojë në pushtet pas përfundimit të luftës
- Vetëm 25 për qind e ukrainasve besojnë se presidenti Volodimir Zelenski duhet të mbetet në pushtet pas përfundimit të luftës, sipas një sondazhi të publikuar sot nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 18:01, 13 tetor, 2025
Kiev, 13 tetor 2025 (MIA) - Vetëm 25 për qind e ukrainasve besojnë se presidenti Volodimir Zelenski duhet të mbetet në pushtet pas përfundimit të luftës, sipas një sondazhi të publikuar sot nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev.
Ky rezultat është në kundërshtim me nivelin relativisht të lartë të besimit që ai vazhdon të gëzojë në mesin e publikut, sipas të njëjtit sondazh.
Sipas sondazhit, 16 për qind e të anketuarve konsiderojnë se Zelenski duhet të mbetet në politikë, por jo në pushtet. Në të njëjtën kohë, 36 për qind e të anketuarve besojnë se Zelenski duhet të largohet nga politika pas luftës, ndërsa 14 për qind të tjerë konsiderojnë se ai duhet të përballet me ndjekje penale, tregoi sondazhi.
Sipas Kushtetutës së Ukrainës, zgjedhjet e ardhshme janë të mundshme vetëm pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, e cila u shpall në fillim të pushtimit rus në vitin 2022. Zelenski ka njoftuar se nuk do të kandidojë për rizgjedhje pas përfundimit të luftës.
Sipas sondazhit, pjesa e atyre që mbështesin Zelenskin në pozicion udhëheqës nuk është e njëjtë si dhe rejtingu i tij zgjedhor. "Gjatë zgjedhjeve, njerëzit zgjedhin midis pjesëmarrësve të caktuar, kështu që përbërja e kandidatëve mund të përcaktojë vendimin për kë do të votojnë", shpjegojnë autorët e sondazhit.
Sondazhi tregoi se 60 për qind e ukrainasve aktualisht i besojnë Zelenskit, ndërsa 35 për qind jo. Kjo është një rritje e lehtë e besimit krahasuar me fillimin e shtatorit dhe gushtit, kur mbështetja për Zelenskin ra pasi ekipi i tij u përpoq të minonte pavarësinë e institucioneve kryesore kundër korrupsionit.
Midis ukrainasve që nuk i besojnë Zelenskit, mbështetja për vazhdimin e presidencës së tij pas luftës është minimale. Shumica e këtij grupi, 57 për qind, thonë se Zelenski duhet të ndiqet.
Kur Zelenski erdhi në pushtet pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të vitit 2019, 80 për qind e ukrainasve i besonin, por ky numër ra në 37 për qind deri në shkurt të vitit 2022. Niveli i besimit u rrit ndjeshëm në 90 për qind kur filloi pushtimi në shkallë të plotë rus.
Në sondazhin e fundit, të zbatuar midis 19 shtatorit dhe 5 tetorit, është përdorë një mostër përfaqësuese prej 1.008 të rritur nga të gjitha rajonet e Ukrainës, duke përjashtuar zonat nën pushtimin rus.
Foto: Arkivi i EPA-s