Pakistani shpreson që bisedimet midis SHBA-së dhe Iranit do të jenë konstruktive
- Ministri pakistanez i Punëve të Jashtme, Ishak Dar, shprehu sot shpresën se SHBA-ja dhe Irani do të kenë një qasje konstruktive ndaj bisedimeve paqësore.
Islamabad, 11 prill 2026 (MIA) - Ministri pakistanez i Punëve të Jashtme, Ishak Dar, shprehu sot shpresën se SHBA-ja dhe Irani do të kenë një qasje konstruktive ndaj bisedimeve paqësore.
Mediat pakistaneze njoftuan se në Islamabad ka mbërritur delegacioni amerikan i udhëhequr nga zëvendëspresidenti Xhej Di Vens.
Vonë mbrëmë, u paralajmërua mbërritja e delegacionit iranian, i kryesuar nga Kryetari i Parlamentit iranian Mohamad Bager Galibaf dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Abas Aragçi, në kryeqytetin pakistanez.
Ministri Dar theksoi edhe një herë dëshirën e Islamabadit për të vazhduar të ndihmojë palët në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për konfliktin, thuhet në kumtesën nga ministria pakistaneze e Punëve të Jashtme.
Rreth 190 gazetarë të huaj janë akredituar për të monitoruar bisedimet në Islamabad, kumtoi Ministria e Informacioneve dhe Telekomunikacioneve e Pakistanit. Gazetarët do të punojnë nga Qendra e Konferencave "Mohamed Ali Xhina". Qasja në "zonën e kuqe", ku ndodhet kompleksi qeveritar, është bllokuar, kështu që autoritetet kanë siguruar autobusë për gazetarët deri në qendrën e konferencave.
Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim njoftoi se informacionet e Si-En-En se bisedimet midis Iranit dhe SHBA-së do të zgjashin disa ditë janë të pasakta.
Sipas korrespondentit të Tasnim në Pakistan, plani aktual parashikon që, nëse zhvillohen bisedime, negociatat mund të zgjasin një ditë. Gjithashtu vihet re se Irani aktualisht po vlerëson palën tjetër përpara se të fillojë dialogun, ndërsa orari mund të ndryshojë ende.
Negociatat mund të fillojnë sonte dhe për momentin po shqyrtohet formati i një takimi të shkurtër njëditor. ls/
Foto: EPA