• e mërkurë, 12 mars 2025

Shqipëria dhe Britania ranë dakord për formimin e ekipeve të përbashkëta hetimore

Shqipëria dhe Britania ranë dakord për formimin e ekipeve të përbashkëta hetimore

Tiranë, 19 shkurt 2025 (MIA) - Ministri shqiptar i Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha, në takimin në Tiranë, me shefin britanik të Komandës së Sigurisë Kufitare për Ballkanin Perëndimor, Toni Basvel, ranë dakord të formojnë ekipe të përbashkëta hetimore.

"Pasi vlerësova lartë bashkëpunimin e deritanishëm, kërkova të zgjerohet e njejta në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe emigrimit ilegal, ku ramë dakord për formimin e ekipeve të përbashkëta hetimore", njoftoi Hoxha në Fejsbuk. 

Sipas tij bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare dhe britanike për parandalimin e emigracionit të paligjshëm ka rezultuar shumë pozitiv, duke ulur ndjeshëm hyrjet ilegale të shqiptarëve në territorin britanik.  

 "Operacioni “Marevud” është një histori suksesi, në përmirësimin e bashkëpunimit operativ ndërmjet forcave të zbatimit të ligjit. Ky bashkëpunim është thelluar përmes punës së grupit të përbashkët punues, pjesë e së cilës është edhe Kosova, e synimi është të zgjerohet me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor", theksoi ministri Hoxha. 

Gjithashtu thuhet se Komanda e Sigurisë Kufitare e Ballkanit Perëndimor është një njësi e krijuar së fundmi brenda Ministrisë britanike të Punëve të Brendshme, detyra e së cilës është të sigurojë kufijtë përmes kontrollit të emigracionit të paligjshëm dhe doganës. qa/

Foto: Hoxha FB

 

QËNDRONI TË LIDHUR