• e mërkurë, 12 mars 2025

Uashingtoni rivendos ndihmën ushtarake për Kievin - Ukraina pranoi armëpushim 30-ditor

Uashingtoni rivendos ndihmën ushtarake për Kievin - Ukraina pranoi armëpushim 30-ditor

Xhide, 11 mars 2025 (MIA) – Shtetet e Bashkuara të Amerikës “menjëherë do ta shfuqizojnë pezullimin në shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës dhe to ta rivendosin ndihmën e sigurisë për Ukrainën”, thuhet në deklaratën e përbashkët të SHBA-së dhe Ukrainës, të publikuar nga Departamenti i Shtetit amerikan. 

Ukraina është e gatshme ta pranojë nismën amerikane për armëpushim urgjent, të përkohshëm 30-ditor pas bisedimeve të sotme paqësore në Xhide, të Arabisë Saudite. Ky propozim për armëpushim do të mund të vazhdojë me leje të ndërsjellë të të dyja palëve, por zbatimi i tij varet nga pranimi dhe zbatimi nga ana e Rusisë, transmeton Bi-Bi-Si. 

Sekretari shtetëror amerikan, Marko Rubio deklaroi para gazetarëve në Xhide, pas bisedimeve me delegacionin ukrainas, se SHBA-ja ka dhënë ofertë të cilën e ka pranuar Ukraina – të pranojë armëpushim dhe të fillojë bisedime për përfundim të përhershëm dhe të qëndrueshëm të konfliktit. Ai shtoi se kjo ofertë tani do t’i transmetohet Rusisë dhe shfaqi shpresë se Moska do ta pranojë. “Tani topi është te ata”, theksoi Rubio, duke shtuar se presidenti Donald Tramp dëshiron fund të luftës. 

Këshilltari i sigurisë kombëtare, Majk Uollc, theksoi se në takim është biseduar për hollësitë si të arrihet paqe e përhershme dhe çfarë garanci të sigurisë do të sigurohen për qëndrueshmëri afatgjate. Ai paralajmëroi se në ditët në vijim do të bisedojë me homologun e tij rus, ndërsa sekretari shtetëror Rubio do të marrë pjesë në takimin e ministrave të punëve të jashtme të G7, ku do të vazhdohet me procesin. 

Në pyetjen nëse armëpushimi i propozuar ka të bëjë me gjithë vijën e frontit ose vetëm me operacionet ajrore dhe detare, siç propozoi Ukraina, Rubio u përgjigj shkurt: “Po – oferta është armëpushim i plotë”. Ai theksoi se mënyra e vetme që të përfundojë kjo luftë është përmes bisedimeve, ndërsa që kjo të ndodhë, “së pari duhet të ndalen të shtënat”.

I pyetur nëse Ukraina po pranon ndonjë gjest vullneti të mirë nga Rusia ose nëse ka një afat për zbatimin e marrëveshjes, Rubio u përgjigj: "Ukraina është gati të ndalojë të shtënat dhe të fillojë negociatat". Ai shtoi se shpreson se Rusia do ta pranojë armëpushimin, por nëse kjo nuk ndodh, "atëherë do të dimë se cila është pengesa e vërtetë për paqen". Ai përsëriti se presidenti Tramp e ka bërë të qartë se dëshiron t'i jepet fund dhunës.

Kur gazetarët pyetën pse sot nuk ishte nënshkruar marrëveshja për minerale të rralla, Rubio sqaroi se ajo nuk ishte temë e bisedimeve në Xhide. Ai sqaroi se marrëveshja negociohet mes institucioneve financiare ukrainase dhe amerikane, por se presidentët e të dyja vendeve kanë dhënë instruksione për përfaqësuesit e tyre qeveritarë që ta finalizojnë. 

Kur u pyet nëse marrëdhëniet midis Trampit dhe presidentit ukrainas Volodomir Zelenski ishin "rikthyer në normalitet", Rubio tha se gjëja më e rëndësishme ishte "kthimi i paqes në rrugën e duhur". Ai theksoi se ky nuk është një lloj realiti shou, por një “çështje serioze” në të cilën njerëzit vdesin çdo ditë. "

 “Sot njerëz do të vdesin në këtë luftë, dje vdiqën, ndërsa nëse nuk ka armëpushim për fat të keq, do të vdesin edhe nesër”, theksoi Rubio. Ai përsëriti se Trampi dëshiron që kjo të përfundojë, për çka edhe mbahen këto bisedime. 

Kryekëshilltari i Zelenskit, Andrij Jermak, i cili ishte pjesë e delegacionit ukrainas në Arabinë Saudite, ndau një deklaratë të shkurt në rrjetin social Iks, duke theksuar se “mbrojtja e interesave të Kievit është më e rëndësishme”, ndërsa “paqja e drejtë është kyçe”. Ai i falënderoi përfaqësuesit amerikanë dhe sauditë për “takimin konstruktiv”. fc/

Fotografia: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR