Shlapka: Zelenski në prani të BE-së duhet të negociojë për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë
- Bashkimi Evropian është i përkushtuar për t'i dhënë fund agresionit rus kundër Ukrainës dhe për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, tha sot ministri polak për Çështje evropiane, Adam Shlapka në fjalimin e tij në Parlamentin Evropian në debatin kushtuar forcimit të arkitekturës evropiane të mbrojtjes dhe mbështetjes për Ukrainën.
- Post By Fami Bajrami
- 13:59, 11 mars, 2025

Strasburg, 11 mars 2025 (MIA) - Bashkimi Evropian është i përkushtuar për t'i dhënë fund agresionit rus kundër Ukrainës dhe për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, tha sot ministri polak për Çështje evropiane, Adam Shlapka në fjalimin e tij në Parlamentin Evropian në debatin kushtuar forcimit të arkitekturës evropiane të mbrojtjes dhe mbështetjes për Ukrainën.
Sipas Shlapkës, për një paqe të tillë të drejtë dhe të qëndrueshme duhet të negociojë presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, ndërsa në negociatat paqësore duhet të përfshihet edhe BE-ja, siguria e së cilës kërcënohet nga konflikti në Ukrainë.
Shlapka, vendi i së cilës aktualisht kryeson Këshillin e BE-së, theksoi se këto çështje do të jenë një nga temat kryesore në Samitin e ardhshëm të rregullt të BE-së të planifikuar për më 20 dhe 21 mars në Bruksel.
Ai shtoi se përveç mbrojtjes dhe Ukrainës, Samiti do të diskutojë gjithashtu tre prioritetet e BE-së për vitin 2025 në lidhje me forcimin e konkurrencës - reduktimin e burokracisë, sigurimin e energjisë më të lirë dhe shfrytëzimin e kursimeve dhe nxitjen e investimeve për rritjen e kompanive të reja dhe inovative.
Në fjalimet në kuadër të debatit, shumica e eurodeputetëve konfirmuan mbështetjen e Parlamentit Evropian për forcimin e sigurisë së BE-së dhe përshëndetën diskutimet e fundit të liderëve evropianë të përkushtuar për mbrojtjen e Evropës.
Shumica e eurodeputetëve kanë mbështetur propozimet e fundit të Komisionit Evropian për të forcuar industrinë evropiane të mbrojtjes, për të rritur kontrollin e kufijve të jashtëm të BE-së dhe për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën në përballjen me agresionin rus.
Disa eurodeputetë vlerësuan se Plani "Riarmatimi i Evropës" i prezantuar nga Komisioni Evropian javën e kaluar paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes evropiane, por ata gjithashtu theksuan rëndësinë e fokusimit në zhvillimin e një strategjie të përbashkët afatgjate të mbrojtjes të BE-së e cila do të merret me sfidat aktuale dhe të ardhshme.
Neni 122 parashikon se "Këshilli, në frymën e solidaritetit midis shteteve anëtare me propozim të Komisionit, mund të vendos për masat e përshtatshme për situatën ekonomike, veçanërisht nëse lindin vështirësi serioze në furnizimin e produkteve të caktuara, veçanërisht në fushën e energjisë". Me aktivizimin e këtij neni, Parlamenti Evropian përjashtohet nga procedura për miratimin e propozimit, por vetëm “kryetari i Këshillit do ta informojë atë për vendimin e marrë”.
Eurodeputetët që shprehën shqetësime për propozimin e këtillë e paralajmëruan Komisionin të mos mbështetet së tepërmi në dispozita të tilla emergjente.
Disa eurodeputetë, madje kritikuan vendimin e administratës së presidentit amerikan Donald Tramp për "tërheqjen nga angazhimet e ndërmarra më parë për mbrojtjen e Ukrainës" dhe bënë thirrje në përpilimin e një strategjie të BE-së të bazuar në investime dhe solidaritet, ndërsa disa i kërkuan Komisionit Evropian, përveç ndihmës ushtarake, të rrisë gjithashtu përpjekjet diplomatike për të mbështetur Ukrainën.
Foto: EPA