Peskovi: Deklarata serioze të Trampit kundër Rusisë dhe Putinit, që duhet kohë për t'u analizuar
- Deklaratat e Presidentit amerikan Donald Tramp për Rusinë janë shumë serioze, deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskovi, duke shtuar se Rusisë i duhet kohë për të analizuar mesazhet nga Uashingtoni.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 13:18, 15 korrik, 2025
Moskë, 15 korrik 2025 (MIA) - Deklaratat e Presidentit amerikan Donald Tramp për Rusinë janë shumë serioze, deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskovi, duke shtuar se Rusisë i duhet kohë për të analizuar mesazhet nga Uashingtoni.
"Deklaratat e Presidentit Tramp janë serioze, disa prej tyre i janë drejtuar personalisht presidentit rus. Gjithsesi na duhet kohë për t'i analizuar", tha Peskovi, i transmetuar nga mediat ruse.
Ai tha se Moska ishte gati të vazhdojë dialogun me Kievin, duke shtuar se Uashingtoni dëshiron të njëjtën, ndërsa "me sa duket, edhe Evropa".
Shtoi se Putini do t'i komentojë fjalët e Tramp nëse e konsideron të nevojshme.
"Le të presim vendimin e tij", tha Peskovi.
Zëdhënësi i Kremlinit, gjithashtu, deklaroi se Moska ende nuk ka marrë sinjale në lidhje me mbajtjen e një raundi të mundshëm të ardhshëm negociatash me Kievin.
"Është e vështirë të thuhet se me çfarë lidhet, por ne jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun", tha Peskovi.
Ai vlerësoi se Kievi nuk i përjeton vendimet e marra në Uashington dhe NATO si një sinjal për paqe, por për vazhdimin e luftës.
Foto: Arkivi i MIA-s