• e hënë, 23 dhjetor 2024

Osmani në Forumin Rinor: Vendosmëria e të rinjve mund të nxisë ndryshime

Osmani në Forumin Rinor: Vendosmëria e të rinjve mund të nxisë ndryshime

Shkup, 14 nëntor 2023 (MIA) - Kryesuesi i OSBE-së dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në prani të përfaqësuesve të të rinjve nga vendet pjesëmarrëse në OSBE, në Qendrën Edukative M6 në Shkup e hapi Konferencën për të rinjtë, e cila mbahet me temën “Inovacionet dhe Sipërmarrja Rinore: Krijimi i një të ardhmeje të qëndrueshme në rajonin e OSBE-së".

Konferenca, siç njoftoi MPJ, organizohet në kuadër të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me Organizatën, ndërsa gjatë sesioneve interaktive pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të gjejnë zgjidhje inovative për zgjidhjen e problemeve sociale dhe ekologjike në komunitetet e tyre.

Osmani, në fjalimin e tij theksoi se përfshirja e të rinjve është kyçe për rolin e OSBE-së në promovimin e paqes dhe sigurisë, edhe atë nga Akti i Helsinkit i vitit 1975 kur vendet pjesëmarrëse u zotuan t’i përfshijnë të rinjtë “duke iu referuar në mënyrë të veçantë problemeve madhore të njerëzimit, zgjidhja e të cilave kërkon qasje të përbashkët dhe bashkëpunim më të gjerë ndërkombëtar”.

Ai shtoi se ky angazhim edhe më tej është garanci se OSBE-ja është një platformë për forcimin e zërave të brezave që do të vijnë.

“Fuqizimi i të rinjve është një nga prioritetet tona kryesore. Maqedonia e Veriut dhe rajoni ynë kanë dobi nga bashkëpunimi dhe iniciativat rinore rajonale që promovojnë kulturën e dialogut, tolerancës dhe pajtimit. Duke pasur parasysh se bota e sotme po ballafaqohet me kaq shumë sfida, me gjithë zemër besoj se të rinjtë janë investimi më i mirë për të ardhmen”, tha Osmani.

Ai e shfrytëzoi rastin që ta falënderojë edhe përfaqësuesin e tij special për të Rinjtë, Memet Zhakun, për energjinë dhe përkushtimin, gjë që e përmbush rolin e tij dhe theksoi se ruzultati i punës së të rinjve është vetë forumi i sotëm rinor.

Duke folur për rëndësinë e përfshirjes interaktive të të rinjve edhe në nivel institucional, ai theksoi se rezultatet, idetë dhe rekomandimet e të rinjve do të jenë pjesë e agjendës së Këshillit të Ministrave, organit më të lartë vendimmarrës, që do të mbahet në fund të këtij muaji në Shkup.

“Në kuadër të OSBE-së, të rinjtë jo vetëm që mund të flasin, por zëri i tyre të dëgjohet me të vërtetë, ndërsa energjia e tyre, idealizmi dhe vendosmëria do të mund të nxisë ndryshimin dhe të detyrojë zgjidhje për sfidat e shumta të vështira me të cilat përballemi bashkërisht”, tha Osmani.

Në fund të fjalës së tij, ministri i Jashtëm shtoi se dialogu është kyç dhe qëndron në zemër të Organizatës, përkatësisht dialogu ndërmjet të rinjve, ndërmjet brezave, ndërmjet vendeve, përtej kufijve, nëpër kontinente.

“Ne duhet ta dëgjojmë njëri-tjetrin, t'i respektojmë mendimet e ndryshme, të bashkëpunojmë për qëllime të përbashkëta, t'i përfshijmë të gjithë. Sepse të rinjtë nuk janë vetëm përfitues të veprimeve tona, por edhe partnerë në misionin tonë si OSBE, janë vlerat dhe parimet tona dhe roli ynë si platformë unike për dialog”, përfundoi Osmani. bsh/

Foto: MPJ

QËNDRONI TË LIDHUR