• e diel, 15 qershor 2025

Nikolloski në Londër, përmes Instrumentit për mbështetje të eksportit gjashtë miliardë euro për Maqedoninë

Nikolloski në Londër, përmes Instrumentit për mbështetje të eksportit gjashtë miliardë euro për Maqedoninë

Londër, 21 maj 2025 (MIA) – Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski sot edhe zyrtarisht e filloi vizitën e punës në Mbretërinë e Bashkuar me takim në Londër me përfaqësues të Instrumentit për mbështetje të financimit të jashtëm në Ministrinë britanike të Financave, informon raportuesi i MIA-s nga Londra. 

Nikolloski vlerësoi se ky takim është më i rëndësishëm në kuadër të vizitës, duke sqaruar se nuk është bërë fjalë për hollësitë për mjetet të cilat Maqedonia mund t’i shfrytëzojë në periudhën e ardhshme. 

“Bëhet fjalë për rreth pesë miliardë sterlina që po i vihen në dispozicion Maqedonisë, diçka që u konfirmua nga Instrumenti i Mbështetjes së Financimit të Jashtëm. Mund të them me kënaqësi se këto pesë miliardë stërlina ose gjashtë miliardë euro i janë vënë patjetër në dispozicion Maqedonisë pas këtij takimi. Ato mund të përdoren për financimin e projekteve, janë të lidhura me projekte, që do të thotë se do t'i sjellin vlerë të shtuar Maqedonisë”, deklaroi Nikollovski.

Ai theksoi se bëhet fjalë për projekte në pjesën e transportit, shëndetësisë, arsimit, energjetikës, teknologjisë, si dhe në sferën e mjedisit jetësor. 

“Biseduam për tre grupe projektesh. Njëra është hekurudha e shpejtë në Korridorin 10, nga Tabanoci në Gjevgjeli, e dyta është ndërtimi i spitaleve në Kërçovë, Tetovë dhe Shtip, dhe e treta është ndërtimi i një fakulteti të mjekësisë dhe një konvikti të studentëve në Shtip. Këto janë tre grupe projektesh që janë konfirmuar tashmë. Pas nënshkrimit të marrëveshjes qeveri-qeveri nesër dhe ratifikimit të saj në Kuvendin e Maqedonisë, do të fillojmë diskutimet zyrtare në lidhje me metodat e financimit dhe zbatimin e këtyre projekteve, dhe shumë shpejt do të mund të dalim me këto detaje”, tha Nikolloski.

Në delegacionin e Maqedonisë së Veriut janë edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti dhe drejtori i HM Infrastruktura Sinisha Ivanovski, ndërsa nesër do tu bashkëngjitet edhe ministrja e Arsimit, Vesna Janevska. 

Nikolloski pret vizitë shumë të suksesshme në Britaninë e Madhe, në kuadër të të cilës sot pasdite në agjendë janë takime politike. 

“Do të kemi takim me ministrin e punëve të Brendshme, me ministrin e Mbrojtjes dhe gjithsesi nesër me ministrin e Ekonomisë dhe Eksportit me të cilin bashkërisht do ta nënshkruajmë marrëveshjen qeveri me qeveri”, paralajmëroi Nikolloski. 

Ai e sqaroi procesin e ratifikimit në të dyja vendet. 

“Te ne marrëveshja do të ratifikohet në parlament, ndërsa në Britaninë e Madhe miratohet nga Qeveria. Pastaj marrëveshja hyn në fuqi dhe ne tashmë hyjmë në diskutime dhe negociata zyrtare për realizimin e projekteve. Thashë se ambicia ime është që të kemi marrëveshje gjatë verës dhe të punojmë në terren në fund të vjeshtës", tha zëvendëskryeministri Nikolloski.

Teksti i marrëveshjes që do të nënshkruhet nesër dje ishte miratuar nga Qeveria e Maqedonisë, pasi të dyja shtetet  arritën pajtim për partneritet strategjik. fc/

Foto: MIA

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR