Në listën e Forbs të ultra të pasurve për vitin 2025 për herë të parë është një shqiptar, Samir Mane
- – Shqipëria tashmë e ka ultra të pasurin e parë i cili është në listën më të re të Forbs për vitin 2025 të njerëzve më të pasur në botë.
- Post By Fitore Curri
- 10:48, 2 prill, 2025

Tiranë, 2 prill 2025 (MIA) – Shqipëria tashmë e ka ultra të pasurin e parë i cili është në listën më të re të Forbs për vitin 2025 të njerëzve më të pasur në botë.
Bëhet fjalë për Samir Mane pasuria e të cilit është vlerësuar, sipas magazinës, në 1,4 miliardë dollarë. Emri i tij për herë të parë paraqitet në listën e njerëzve ultra të pasur në botë.
“Shqipëria e ka miliarderin e tij të parë këtë vit – Samir Mane, i cili ka pasuri prej 1,4 miliardë dollarë nga investime në qendra tregtare, shitore për elektronikë dhe patundshmëri luksoze në mbarë Ballkanin. Ai është në vendin e 2.356-të në listën në të cilën gjenden 3.028 personalitete të botës”, njoftuan mediat.
Samir Mane është themelues dhe kryetar i “BALFIN Group”, konglomerat i investimeve me seli në Tiranë, Shqipëri. BALFIN posedon qendra tregtare dhe shitore për elektronikë dhe lodra në Ballkanin Perëndimor, plus bankë dhe patundshmëri luksoze në Shqipëri.
Mane (58) ka ikur nga regjimi komunist shqiptar në vitin 1991 dhe është zhvendosur në Austri; në vitin 1993 filloi të shiste aparate për amvisëri në vendin e lindjes. Ai e lansoi “Neptunin”, zinxhir i shitoreve për elektronikë, në Shqipëri në vitin 1998 dhe u kthye në Shqipëri në vitin 2005 që ta hapë qendrën e parë tregtare në vend. “BALFIN” posedon edhe pasuri të patundshme në SHBA, Kanada dhe Austri, si dhe parqe logjistike dhe universitet privat në Shqipëri.
SHBA-ja, me 902 miliarderë ende ka më shumë miliarderë nga cilido vend tjetër në botë. Kina me 516 (duke e përfshirë edhe Hong Kongun) mbetet e dyta, përderisa India me 205 miliarderë dhe më tutje është në vendin e tretë. Më shumë se 50% nga të gjithë miliarderët janë shtetas të një nga ato tre vende, por gjithsej 76 kombe dhe dy territore gjysmë autonome kanë të paktën një miliarder. fc/