Hegest: Pothuajse ekziston konsensus në NATO për rritjen e shpenzimeve në mbrojtje në pesë për qind të BPV-së
- Midis ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s "pothuajse ekziston konsensus" rreth rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes në nivel prej pesë për qind të BPV-së, deklaroi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegset pas takimit të sotëm të Këshillit Veriatlantik në Bruksel.
- Post By Fami Bajrami
- 15:05, 5 qershor, 2025
Bruksel, 5 qershor 2025 (MIA) - Midis ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s "pothuajse ekziston konsensus" rreth rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes në nivel prej pesë për qind të BPV-së, deklaroi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegset pas takimit të sotëm të Këshillit Veriatlantik në Bruksel.
"Mendoj se ia vlen të ndahet një moment për të shënuar natyrën historike të asaj që sapo ndodhi që përsëri nuk është zgjidhja e fundit, sepse ka ende shumë për të bërë", deklaroi Hegset.
Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, ai beson që NATO për disa javë do të angazhohet për qëllimin e rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes në pesë për qind të BPV-së, prej të cilave 3,5 për qind për nevoja ushtarake dhe 1,5 për qind për infrastrukturë dhe aktivitete që lidhen me mbrojtjen.
Hegest theksoi se kur presidenti amerikan Donald Trampi gjatë mandatit të tij të parë vendosi një qëllim për të rritur shpenzimet e mbrojtjes të anëtarëve të NATO-s në dy për qind të BPV-së, shumë thanë se kjo ishte e pamundur.
"Presidenti Tramp tha se edhe vendet e tjera duhet ta mbajnë barrën, të paguajnë pjesën e tyre të drejtë, por shumë njerëz menduan se kjo ishte e pamundur dhe nuk mund të ndodhte. Por, tani vendet janë shumë mbi nivelin e dy përqindëshit dhe mendojmë se jemi shumë afër, pothuajse afër konsensusit për një angazhim prej pesë përqindësh ndaj NATO-s", tha sekretari amerikan i Mbrojtjes.
Ai shtoi se për shumë vende "nga Franca, në Gjermani, në vendet baltike, në vendet nordike, në Poloni, Greqi, Hungari dhe shumë vende tjera" detyrimi është pesë për qind për shpenzimet e mbrojtjes.
"Kur do të merrni parasysh kërcënimet me të cilat përballemi, urgjenca në botë, kjo është thelbësore", theksoi Hegest, duke shtuar se NATO-s nuk i duhen më shumë flamuj, por më shumë formacione luftarake dhe nuk i duhen më shumë konferenca, por më shumë kapacitete dhe fuqi.
Hegest potencoi se në një situatë ku Trampi është zotuar të shpenzojë një trilion dollarë nga buxheti i tij për mbrojtjen, është koha që aleatët e Amerikës në Evropë të forcohen edhe më shumë dhe të marrin një rol udhëheqës në mbrojtjen e kontinentit.
"Tani është koha që Evropa të forcohet", ka thënë Hegest. rq/
Foto: NATO