MPJ TJ: Shtetasit e evakuuar të Maqedonisë së Veriut që me fluturim të organizuar kthehen nga EBA sonte arrijnë në Shkup
- Shtetasit e evakuuar të Maqedonisë së Veriut nga Emiratet e Bashkuara Arabe të cilët me një fluturim të organizuar kthehen në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pritet të arrijnë në Aeroportin ndërkombëtar të Shkupit sonte rreth orës 21:15, informon Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
- Post By Fami Bajrami
- 15:08, 8 mars, 2026
Shkup, 8 mars 2026 (MIA) - Shtetasit e evakuuar të Maqedonisë së Veriut nga Emiratet e Bashkuara Arabe të cilët me një fluturim të organizuar kthehen në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pritet të arrijnë në Aeroportin ndërkombëtar të Shkupit sonte rreth orës 21:15, informon Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Në aeroport udhëtarët do të priten nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se janë organizuar fluturime çarter nga Arabia Saudite për të pritur shtetasit tanë të pranishëm në Katar dhe Kuvajt.
“Këto ditë janë organizuar gjithsej katër fluturime çarter, me disa dhjetëra vende të lira. Disa nga vendet e rajonit na kanë kërkuar gjithashtu të transportojmë qytetarët e tyre, pra t'i sjellim në Maqedoni”, tha Mickoski.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme paraprakisht njoftoi se sot fillon evakuimi i shtetasve të Maqedonisë nga vendet e Lindjes së Mesme e cila do të realizohet me fluturime çarter.
Nga Ministria informuan se kanë lidhur kontratë me një kompani ajrore, në përputhje me Ligjin për furnizimet publike, pas zhvillimit të procedurës përkatëse. Sipas planit të përcaktuar dhe dinamikës së paraparë, pritet që deri në mesin e javës së ardhshme të evakuohen të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut që kanë shprehur gatishmëri për t’u kthyer.
Sipas të dhënave të fundit ambasadën në Doha e kanë kontaktuar 150 shtetas të Maqedonisë së Veriut nga të cilët 95 kanë shprehur gatishmëri për evakuim. Ambasada në Abu Dabi është kontaktuar nga gjithsej 585 persona që qëndrojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe nga 36 persona nga Kuvajti, 15 nga Bahrejni dhe 5 nga Mbretëria e Arabisë Saudite.
Ministria, siç thuhet në komunikatë edhe një herë u bën thirrje të gjithë shtetasve të Maqedonisë së Veriut që ende nuk kanë kontaktuar me përfaqësitë përkatëse diplomatike-konsullore, por kanë nevojë për evakuim ose asistencë, ta bëjnë këtë sa më shpejt përmes numrave të telefonit kujdestar të përfaqësive diplomatike-konsullore ose përmes numrit SOS të Ministrisë.
Detajet teknike dhe organizative lidhur me realizimin e fluturimeve do të përcaktohen në koordinim me operatorin ekonomik, për çka qytetarët do të informohen me kohë.
Foto: arkivi i MIA-s