Aliu: Thelbi i ndryshimeve ligjore që po përgatiten është që një njeriu të mund të zgjedhë nëse pas vdekjes të jetë dhurues
- Ndryshimet ligjore që po përgatisim kanë një kuptim shumë më të thellë se një ndërhyrje e thjeshtë juridike. Thelbi i tyre është që njeriu, gjatë jetës, tek mjeku i tij amë, në mënyrë vullnetare dhe të qartë të mund të shprehë vullnetin e tij nëse pas vdekjes dëshiron të jetë dhurues, që ky vullnet të evidentohet në sistemin shëndetësor dhe pesha e tij ligjore dhe morale më në fund të bëhet e dukshme. Qëllimi është që vullneti i qytetarit të jetë parësor, ndërsa sistemi të jetë më transparent, më i besueshëm dhe më efikas, me më pak pengesa administrative dhe me një kornizë më të gjerë për donatorë të mundshëm. Këto ndryshime ligjore nuk përgatiten për të “detyruar”, por për ta kthyer vendimin personal aty ku i takon - te qytetari, thekson ministri i Shëndetësisë Azir Aliu në kolumnën e sotme të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Shëndetësisë.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 14:38, 29 mars, 2026
Shkup, 29 mars 2026 (MIA) - Ndryshimet ligjore që po përgatisim kanë një kuptim shumë më të thellë se një ndërhyrje e thjeshtë juridike. Thelbi i tyre është që njeriu, gjatë jetës, tek mjeku i tij amë, në mënyrë vullnetare dhe të qartë të mund të shprehë vullnetin e tij nëse pas vdekjes dëshiron të jetë dhurues, që ky vullnet të evidentohet në sistemin shëndetësor dhe pesha e tij ligjore dhe morale më në fund të bëhet e dukshme. Qëllimi është që vullneti i qytetarit të jetë parësor, ndërsa sistemi të jetë më transparent, më i besueshëm dhe më efikas, me më pak pengesa administrative dhe me një kornizë më të gjerë për donatorë të mundshëm. Këto ndryshime ligjore nuk përgatiten për të “detyruar”, por për ta kthyer vendimin personal aty ku i takon - te qytetari, thekson ministri i Shëndetësisë Azir Aliu në kolumnën e sotme të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Aoi shton se Programi qeveritar për transplantim për vitin 2026 e konfirmon këtë edhe institucionalisht, duke vendosur si prioritet rritjen e transplanteve të veshkave, zemrës, mëlçisë, kockave dhe indeve kockore nga donatorë të ndjerë, zgjerimin drejt indeve vaskulare dhe fillimin e përgatitjeve për transplantimin e mushkërive, së bashku me lista kombëtare, regjistra, koordinatorë dhe përmirësime softuerike në “Termi im”.
"Me fjalë të tjera, në sistemin shëndetësor maqedonas ekziston një bazë e fortë mjekësore, kadrovike dhe organizative", thekson ministri.
Në vazhdim, kolumnën e ministrit e transmetojmë në formë integrale:
"Në botën e mjekësisë ekzistojnë fusha që tregojnë fuqinë teknike dhe shkencore të shëndetësisë moderne. Por transplantimi zbulon diçka edhe më të rëndësishme – pjekurinë morale të një shoqërie. Në vitin 2024, në nivel global janë kryer një rekord prej 173.727 transplante organesh, ndërsa në Evropë 44.021 transplante. Pavarësisht këtij përparimi, në fund të të njëjtit vit 94.644 pacientë në vendet e Këshillit të Evropës ende prisnin një organ, ndërsa 8.591 persona vdiqën duke qenë në listë pritjeje. Kjo do të thotë se transplantimi sot nuk është vetëm “mbret” apo kulmi i mjekësisë, por edhe një matës se sa një shoqëri di të organizojë shpresën për një shans të dytë në jetë.
Maqedonia sot nuk qëndron para pyetjes nëse di. Maqedonia di. Ne kemi ekipe mjekësore të përgatitura dhe të trajnuara, staf me njohuri, përvojë dhe gatishmëri profesionale për të kryer procedurat më të ndërlikuara që kërkon transplantimi. Sistemi ynë tashmë ka përvojë me transplantimin e veshkave, zemrës, mëlçisë dhe indeve kockore, ndërsa këtë javë publiku u informua edhe për 16 transplantime të suksesshme të kornesë, ku te disa pacientë janë përdorur teknika moderne minimalisht invazive me saktësi mikronike. Programi qeveritar për transplantim për vitin 2026 e konfirmon këtë edhe institucionalisht, duke vendosur si prioritet rritjen e transplanteve të veshkave, zemrës, mëlçisë, kockave dhe indeve kockore nga donatorë të ndjerë, zgjerimin drejt indeve vaskulare dhe fillimin e përgatitjeve për transplantimin e mushkërive, së bashku me lista kombëtare, regjistra, koordinatorë dhe përmirësime softuerike në “Termi im”. Me fjalë të tjera, në sistemin shëndetësor maqedonas ekziston një bazë e fortë mjekësore, kadrovike dhe organizative.
Prandaj sot pyetja më e rëndësishme nuk është kirurgjikale, por shoqërore. Nuk është pyetja nëse kemi sallë, ekip dhe pajisje. Pyetja është nëse kemi mjaftueshëm besim, mjaftueshëm vullnet të shprehur qartë personal dhe një debat publik mjaftueshëm të pjekur për temën e dhurimit të organeve. Një studim profesional i publikuar në vitin 2025 tregon se 74,4% e të anketuarve e mbështesin plotësisht transplantimin, ndërsa 70% mbështesin transplantimin nga donatorë të ndjerë. Por i njëjti studim tregon edhe diçka thelbësore – arsyeja më e shpeshtë për hezitim nuk është refuzimi i idesë së dhurimit, por mungesa e informimit për të gjithë procesin. Autorët theksojnë qartë se besimi në sistem dhe tejkalimi i rezervave kulturore dhe fetare janë të domosdoshme për më shumë dhurim organesh.
Pikërisht këtu Republika jonë duhet të flasë me kujdesin më të madh. Në një vend si Maqedonia, ku peizazhi shpirtëror dhe me vlerë është thellësisht i formuar nga Islami dhe krishterimi ortodoks, dhurimi i organeve nuk duhet të shndërrohet as në një temë të ftohtë administrative, as në një fushatë agresive që do t’i largojë njerëzit nga tema. Duhet të flitet me respekt ndaj dhimbjes, ndaj trupit, ndaj ndërgjegjes dhe ndaj besimit. Por po ashtu është e rëndësishme të thuhet se në hapësirën tonë publike tashmë është bërë e ditur se bashkësitë fetare tradicionale e mbështesin dhurimin vullnetar të organeve dhe indeve si akt human dhe zgjedhje personale, ndërsa përfaqësues islamë dhe ortodoksë këtë vit kanë folur publikisht për dhurimin e organeve si një akt që shpëton dhe zgjatë jetën. Kjo nuk do të thotë se Republika duhet ta interpretojë fenë. Kjo do të thotë se Republika jonë duhet të tregojë me ndershmëri se humanizmi dhe spiritualiteti nuk qëndrojnë përballë njëri-tjetrit, por mund të qëndrojnë së bashku në anën e jetës.
Prandaj edhe ndryshimet ligjore që po përgatisim kanë një kuptim shumë më të thellë se një ndërhyrje e thjeshtë juridike. Thelbi i tyre është që njeriu, gjatë jetës, tek mjeku i tij amë, në mënyrë vullnetare dhe të qartë të mund të shprehë vullnetin e tij nëse pas vdekjes dëshiron të jetë dhurues, që ky vullnet të evidentohet në sistemin shëndetësor dhe pesha e tij ligjore dhe morale më në fund të bëhet e dukshme. Qëllimi është që vullneti i qytetarit të jetë parësor, ndërsa sistemi të jetë më transparent, më i besueshëm dhe më efikas, me më pak pengesa administrative dhe me një kornizë më të gjerë për donatorë të mundshëm. Këto ndryshime ligjore nuk përgatiten për të “detyruar”, por për ta kthyer vendimin personal aty ku i takon – te qytetari.
Dhe bota, përmes shembujve, na tregon se pikërisht aty fitohet beteja më e rëndësishme. Sot sistemet më të suksesshme të transplantimit nuk dallohen vetëm nga aftësitë kirurgjikale të zhvilluara, por edhe nga koordinimi qendror, regjistrat e qartë, kriteret e drejta, koordinatorët e fortë spitalorë, rigoroziteti etik dhe besimi publik. Në vitin 2024, pothuajse 30% e donatorëve të ndjerë në botë kanë qenë në kuadër të donacionit pas vdekjes së përcaktuar cirkulatorisht, gjë që tregon se mjekësia po përparon edhe në mënyrën e sigurimit të organeve. Në të njëjtën kohë, standardet evropiane dhe ndërkombëtare gjithnjë e më fuqishëm theksojnë se transplantimi mund të mbijetojë vetëm nëse është transparent, i drejtë dhe i liruar nga çdo hije abuzimi. Udhëzimet moderne për zhvillimin e programeve të transplantimit theksojnë të njëjtën të vërtetë – se një program i suksesshëm nuk ndërtohet vetëm me pajisje dhe njohuri, por edhe me besim shoqëror, përfshirje dhe një kornizë të qartë etike.
Pikërisht për këtë arsye, fokusi i Ministrisë së Shëndetësisë në periudhën që vjen do të jetë i dyfishtë. Së pari, të përmirësojmë sistemin aty ku institucionet janë të detyruara të japin rezultate – ligji, regjistri, koordinimi, transparenca, hulumtimi, mbrojtja e pacientëve dhe mbështetja e fortë për ekipet e transplantimit. Dhe së dyti, të hapim një debat publik të qetë, dinjitoz dhe të sinqertë me qytetarët, mjekët amë, shoqatat e pacientëve, mediat dhe bashkësitë fetare. Jo për të bindur me presion, por për të shpjeguar me respekt. Jo për ta larguar dhimbjen, por për t’i dhënë një kuptim më të lartë kur njeriu vetë, lirshëm dhe me dinjitet vendos të dhurojë.
Dhurimi është vendimi më personal i mundshëm. Por Republika jonë ka detyrimin të krijojë kushte që ky vendim të jetë i informuar, i mbrojtur dhe i respektuar. Kur ta arrijmë këtë, atëherë transplantimi nuk do të jetë më një temë që hapet vetëm në moment tragjedie apo në një raport mjekësor. Do të bëhet pjesë e kulturës sonë shëndetësore, pjesë e pjekurisë sonë shoqërore dhe pjesë e kuptimit tonë se edhe pas fundit të një jete mund të fillojë një dritë e re për dikë tjetër.
Këtë javë, me 16 transplantimet e kornesë, pamë se mjekësia di të rikthejë shikimin. Tani përpara nesh qëndron një detyrë më e lartë – t’i ndihmojmë publikut ta shohë më qartë rëndësinë e dhurimit të organeve. Sepse aty ku ka njohuri, etikë dhe besim, transplantimi është dëshmia më e pastër se një shoqëri di të krijojë jetë nga dhimbja, porosit në kolumnën ministri Aliu.
Foto: Arkivi i MIA-s